Rreth 260 vepra janë marrë nën shqyrtim nga juria për çmimet vjetore të Panairit të 28-të të Librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, që bashkon botues, autorë dhe mijëra lexues. Juria e përbërë nga Maniela Sotaj, Teuta Dhima, Zija Vukaj, Beti Njuma dhe Elsa Skënderi vlerësuan autorët dhe përkthyesit më të spikatur të vitit.
“Puna e jurisë është organizuar në përputhje me disa parime formale, që lidheshin me kriteret e pranimit të veprave apo të autorëve në konkurrim. Në radhën e këtyre kritereve, p.sh., ishte kriteri sipas të cilit një autor/përkthyes i vlerësuar me çmim Panairi brenda tri viteve të fundit nuk mund të klasifikohej si pretendent për çmim këtë vit”, tha Elsa Skënderi.
Çmimi “Autori më i mirë i vitit” i shkoi shkrimtarit dhe akademikut Artan Fuga për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës” (Papirus), një vepër që ndërthur mitin biblik, dramën bashkëkohore urbane dhe reflektimet mbi teknologjinë, duke u vlerësuar për dimensionin filozofik dhe psiko-social.
Me çmimin “Përkthimi më i mirë” u vlerësua Virgjil Muçi për përkthimin mjeshtëror të romanit “Xhejmsi” të Percival Everett, vepër e shpallur fituese e Çmimit Pulitzer 2025. Përkthimi i tij u vlerësua për zhdërvjelltësinë gjuhësore dhe aftësinë për të ruajtur dy regjistrat e veçantë stilistikë të romanit origjinal.
Urim Nerguti mori çmimin “Përkthimi më i mirë nga frëngjishtja” për sjelljen në shqip të romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i Çmimit Goncourt 2024. Nerguti u vlerësua për besnikërinë ndaj stilit karakteristik të autorit dhe për nuancat gjuhësore të përkthimit.
Në kategoritë e tjera, Ali Xhiku u nderua me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri), një studim me rëndësi për teorinë dhe metodologjinë e historisë së letërsisë shqipe.
Këtë vit, në ndryshim nga një vit më parë, u nda edhe çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë”, i cili i shkoi Valbona Bankës për romanin “Aria, në dorën time”.
Krahas çmimeve u ndanë edhe dy diploma mirënjohjeje: një nga ambasada e Bullgarisë për përkthyesen Janka Trifonova Selimi dhe një tjetër nga ambasada e Polonisë për profesorin Arqile Teta.
