Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në Konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, tha se ky institucion mund të quhet me plot gojën si i tillë. Kreu i qeverisë tha se nuk është e lehtë që një gjë e tillë të thuhet për institucionet e tjera të vendit që janë në ndërtim e sipër.
“Duke ardhur në këtë moment celebrimi mendoja se Banka e Shqipërisë është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të republikës tonë që mund të quhet i tillë me plot gojën, institucion. Në atë kuptim dhe me ato standarte që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi, dhe që bëjnë që ky vend përmbush kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes evropiane.
Nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për plot institucionet e tjera që janë në formim e sipër. Do të ishte vërtet e dobishme që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u fokusuar dhe konsoliduar si institucion të merrje përsipër dhe të shkruhej për t’u dhënë të tjerëve një pasqyrë të gjithë rrugës se si u ngrit një institucion i tillë, i cili është plotësisht i integruar në botën ku jetojmë.”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, Banka e Shqipërisë sot, teksa ka hyrë në shekullin e dytë të “jetës”, përballet me një hartë të re nga ajo që u vendos në fillim kur u krijua. Sfida e Bankës, tha kryeministri, është e dyfishtë, duke marrë parasysh faaktin se duhet të shohë përtej të sotmes dhe shumë më larg në të ardhmen, por gjithashtu duhet të vazhdojë të tregojë se është në lartësinë e duhur për funksionin e saj historik.
Duke u ndalur te zhvillimet teknologjike, kryeministri tha se banka, krahas politikës monetare, duhet që të ndërtojë mekanizma të rinj kontrolli por shtoi se duhet të “përqafojë” edhe faktet e reja që vijnë nga këto zhvillime, që siç shtoi ai, “nuk i kontrollojmë dot por duhet të bëjmë çmos që të mos na kontrollojnë”.
“Nga ana tjetër, dua shumë të shpresoj dhe besoj që Banka qendrore, ashtu sikundër ka kapacitetet që të qetësojë dhe garantojë duke pas krijuar një besim që nuk është tipik në opinionin publik shqiptar lidhur me institucionet do të mundet që edhe të rinovojë dhe shohë me kurajo ato risi që sjell e përditshmja në zhvillimet e teknologjisë dhe do të mundet të ruajë ekuilibrat duke u shtyrë përpara zhvillimin dhe moslejuar që gjithë këto potenciale të jashtëzakonshme që sjell zhvillimi i teknologjisë dhe hyrja në jetët tona të AI të mbeten jashtë rrezes të veprimtarisë së saj të përditshëm.”, shtoi kryeministri.
