Në një takim që mblodhi të apasionuar të librit, miq e adhurues të autorit, u promovua mbrëmë libri “Jam mysliman” me autor Ben Blushin.
Romani “Jam mysliman”, i botuar nga “Onufri”, është një rrëfim ironik dhe filozofik mbi përplasjen midis fesë dhe shtetit laik në Shqipërinë moderne. Ngjarjet zhvillohen në Rrugën e Kavajës, ku një shkrimtar përballet me islamizimin e ngadaltë të shoqërisë dhe të jetës së tij private, përfshirë edhe gruan e tij të dytë, e cila shndërrohet në besimtare. Pas një udhëtimi në Mekë, i vetmuar dhe i kërcënuar nga islamikët, ai bëhet mysliman, duke e kthyer romanin në një metaforë për njeriun që kërkon shpëtim në fe pasi ka humbur besimin te shoqëria.
Autori Ben Blushi, ishte i pranishëm në panelin e promovimit të librit, së bashku me botuesin Bujar Hudhri, gazetarin Roland Qafoku dhe shkrimtarin Rudolf Marku. Blushi u shpreh se, pati kënaqësinë të ndante emocionet e prezantimit të romanit “Jam mysliman” me shumë miq dhe të afërm.
“Ata erdhën për të më mbështetur dhe për të më bindur se letërsia nuk ka mbetur jetime por ka ende dashamirës dhe tifozë të shumtë”, u shpreh Blushi.
“Jam mysliman” është botimi i dymbëdhjetë i Ben Blushit, pas sukseseve me bestseller-at “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Kandidati” dhe “Komploti”.
