Interpretimi i Russell Crowe në dramën e re të Luftës së Dytë Botërore, “Nuremberg”, i ka lënë pa fjalë kritikët e filmit, pasi shumë prej tyre parashikojnë se ai do të fitojë nominimin e tij të katërt për çmim “Oscar” për portretizimin e tij madhështor dhe të shkëlqyer të kriminelit nazist të luftës, Hermann Göring, sipas “Independent”.
Me regji të James Vanderbilt, “Nuremberg” del në kinema të premten, dhe flet për psikiatrin e ushtrisë amerikane, Douglas Kelley, i luajtur nga Rami Malek, i cili përfshihet në një përballje psikologjike me të akuzuarin si kriminel lufte nazist, Hermann Göring – ndërsa gjyqet e Nurembergut janë gati të fillojnë.
Ndërsa vetë filmi i ka ndarë kritikët — duket se ata bien dakord unanimisht se Hermann Göring (Crowe) shpalos një nga performancat e tij më të mira ndër vite.
“Filmi i Vanderbilt mbështetet në portretizimin e Göring si mëkatar dhe si shenjtor, në mënyrë të barabartë”, shkroi Matthew Creith i “TheWrap”.
“Por Crowe ngre lart figurën e Göring, një portretizim mahnitës që nuk është parë në karrierën e aktorit për një kohë të gjatë, duke e interpretuar nazistin si një figurë madhështore në një performancë brilante”, shtoi ai.
“Crowe shfaqet me një performancë të jashtëzakonshme dhe paksa të frikshme si ajo Göring”, tha aktori Roger Ebert.
“Ai është jashtëzakonisht simpatik, i përulur dhe i sjellshëm, edhe pse natyra e tij egoiste është aq e thellë saqë nuk mund ta imagjinojë se mund të dënohet dhe të gjykohet”, tha ai.
Brian Truitt i “USA Today” vlerësoi shumë portretizimin “efektiv” të Malek si Kelley, megjithatë ishte Crowe ai që i kishte lënë një përshtypje edhe më të shkëlqyer – për t’u bërë pretendent për çmimet “Oscar”.
Owen Gleiberman i “Variety” në mënyrë të ngjashme tha se Malek “ofronte një energji rolit, duke sjellë gjithashtu një pasiguri të çuditshme. Megjithatë, Crowe, në të kundërt, vepron me komandë të përsosur edhe kur Göring, me dashje, e largon audiencën”, shtoi ai.
Lindsey Bahr i “Associated Press” e quajti rolin e Crowe një nga performancat më të mira të tij ndër vite, duke shtuar se ai ishte shumë i përshtatshëm për të luajtur personazhin egoist dhe karizmatik.
Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur 61-vjeçari Crowe fitoi vëmendjen e madhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në 2002.
Në kulmin e karrierës së tij në fillim të viteve 2000, ai fitoi një sërë nominimesh për çmim “Oscar” për Aktorin më të Mirë, duke filluar me nominimin e tij në vitin 2000 për “The Insider”.
Vitin tjetër, ai fitoi “Oscar-in” e tij të parë për “Gladiator”, i ndjekur nga një nominim i tretë në vitin 2002 për “A Beautiful Mind”.
Crowe vazhdoi të luante në filma të mëdhenj, duke përfshirë “Robin Hood” (2010), “Les Misérables” (2012) dhe “Noah” (2014), por vitet e fundit është parë në projekte më të vogla dhe më pak të vlerësuara.
