E diel, 16 Nëntor, 2025

Inceneratori i Tiranës, GJKKO dënon me 4 vite burg Alqi Bllakon; pritet lirimi nga qelia për shkak të gjykimit të shkurtuar

Share

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg ish ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, për inceneratorin e Tiranës. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai ka përfituar ulje dënimi dhe u dënua me 2.8 vite burg. Po ashtu u vendos që t’i hiqet e drejta për funksionet publike për 5 vite.

Por duke qenë se ai ndodhet në paraburgim e ka ezauruar dënimin. Për këtë arsye është vendosur të shuhet masa e sigurimit dhe është urdhëruar lirimi i tij nëse nuk ka masë tjetër.

Më 11 mars, Bllako u dënua po me 4 vite burg nga GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë në dy raste. Por Apeli urdhëroi rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese. Sot u dha vendimi i dytë, ku edhe trupa e re nuk bëri asnjë ndryshim në vendim. Vetë SPAK kërkoi 5 vite burg.

Në seancën e mbajtur sot, vetë Bllako kërkoi të shpallet i pafajshëm: “I kërkoj gjykatës të mbajë parasysh edhe gjendjen time familjare sidomos të njërit prej fëmijëve ku sipas mjekëve mungesa e babait po rëndon gjendjen e tij”.

Avokati mbrojtës Ilir Mustafai theksoi se Bllako nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol në vendimmarrjen për inceneratorin e Tiranës dhe se detyra e tij ka qenë thjesht formale dhe administrative.

Në procedurën e inceneratorit të Tiranës, deri kur është krijuar ideja dhe është bërë kontrata, janë bërë 15 mbledhje dhe 16 procesverbale. Autori kontraktues është ministri dhe anëtarët koncesionit. Janë dy anëtarë të ministrisë së mjedisit, bashkisë e tjerë, Bllako në asnjë rast nuk është emri i tij i përfshirë. Bllako për efekt të punës ka përcjell 3 shkresa. Vendimmarrje me të rëndësishme kanë filluar pas mbledhjes së 11. Vë në dijeni gjykatën se pas mbledhjes 11 e mbrapa nuk ka qenë pjesë e ministrisë, por në Presidencë. Alqi Bllako është si kancelari i gjykatës që merr vendimet dhe ja çon palëve, por kancelari nuk ka përgjegjësi mbi vendimin e gjykatës. Alqi Bllako nuk ka pasur rol vendimmarrës te inceneratori i Tiranës”, tha mbrojtja e Bllakos.

Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.

Alqi Bllako është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim.

Te tjera

Lajme te tjera