E mërkurë, 31 Dhjetor, 2025

Ecuria ekonomike, ministrja Ibrahimaj: Presim rritje 3.9% për gjithë 2025-ën, kontribut turizmi, investimet dhe pagat e administratës, bujqësia në ‘krizë’

Share

Ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë të vitit, që përkon me sezonin veror. Njësoj si edhe në gjashtëmujorin parë të vitit edhe për periudhën korrik-shtator ‘shpëtimi’ i ekonomisë ka ardhur kryesisht nga rritja e pagave të administratës publike, sektori i turizmit dhe pasuritë e paluajtshme. Ndërsa sektorët tradicionalë si bujqësia dhe industria vijojnë të tkurren.

“Në sektorin e bujqësisë së pyetjeve të peshkimit ka vijuar rënia me 1.73%. Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga niveli i çmimeve në sektorin e industrisë. Industria nxjerrëse dhe industria përpunuese e tekstileve kanë vijuar rënien”, tha Ibrahimaj.

Edhe pse ekonomia në 9-mujor ka rezultuar nën objektiv, ministrja Delina Ibrahimaj thekson se sinjalet janë që viti të mbyllet me rritje ekonomike 3.9%.

“Pritshmëritë për tremujorin e katërt dhe për përfundimin e vitit janë për arritje të parashikimit të rritjes ekonomike prej 3.9%”, tha Ibrahimaj.

Në këtë nëntëmujor rritja ekonomike rezulton afro 3.73%, ndërsa institucionet vendase dhe të huaja kanë parashikuar që i gjithë viti të mbyllet midis shifrave 3.5 dhe 4% rritje në raport me vitin e shkuar.

Por përtej bumit turistik shifrat tregojnë një rritje modeste të konsumit në sezonin turistik me vetëm 1.25%, që dëshmon edhe një herë trendin e pushuesve që shpenzojnë pak në Shqipëri. Ndërsa rritja e konsumit është udhëhequr nga shteti me rritje prej 7.72%.

Në konferencën e fundit për vitin 2025, ministrja tha se edhe për vitin që po vjen pritshmëritë janë pozitive prej një rritje ekonomike në nivelin 3.7 deri në 4%.

SEKTORËT ME KONTRIBUT NË PBB

Administrata           1,68%

Tregti/Akomodim   0.62%

Tregu i pronave      0.50%

Ndërtimi                  0.48%

Bujqësia-Peshkimi    -0.26%

Industria-energjia     -0.48%

Te tjera

Lajme te tjera