E diel, 16 Nëntor, 2025

Debate tek ‘Ekonomia’, PD: Inflacioni është rritur me 40% nga 2013-a, pensionet me 23%! Malaj: Vitin tjetër veç bonuseve mujore do rishikohet plotësisht skema

Share

Në komisionin e Ekonomisë çështja e pensioneve është shoqëruar me debate. Për opozitën rritjet e bëra prej vitit 2013 nuk kanë qenë të mjaftueshme, për të mbuluar kostot e inflacionit.

“Çfarë nënkuptoni me fjalën reformë pensioni, çfarë do ndodhë vitin tjetër? Dhe çdo të thotë rritje pagash, ku konsiston rritja e pagave? Po të mbledhësh në mënyrë matematike inflacionin e këtyre viteve, nga 2013 deri tani është diku te mbi 40% në një kohë që indeksimi i pensioneve po në mënyrë matematikë shkon jo më shumë se 23%. Pensionet janë sfidë e jashtëzakonshme dhe sa do të vij dhe do të zgjerohet, ndërkohë që skemat private të pensioneve nuk po përdoren shumë, dhe kanë numra të ulta. Problemi i informalitetit është problem serioz, dhe ato që kontribuojnë për pensione janë sa 32% e forcës së punës”, tha deputeti Bozdo.

Këtyre pyetjeve të ngritura ministri i Financave Petrit Malaj, u përgjigj duke thënë se përveç bonueseve mujore që do të jepen nga janari i vitit të ardhshëm, po punohet për rishikimin e plotë të skemës së pensioneve me ndihmë edhe të ndërkombëtarëve.

“Qeveria, vitin e kaluar, ka filluar një proces për të bërë një vlerësim të sistemit aktual të pensioneve, proces si cili po bëhet me ekspertë ndërkombëtarë, të cilët janë duke bërë një vlerësim se sa e qëndrueshme është skema dhe që unë besoj që deri në fillim të vitit që vjen do të vijnë me propozime konkrete, për mënyrën se si duhet të riorganizohet skema e pensioneve në mënyrë që të jetë një skemë e qëndrueshme dhe që të garantojë dhe pensione dinjitoze për pensionistët shqiptarë. Tani paralelisht me veprimet që po ndërmerren nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me ekspertët ndërkombëtarë në lidhje me skemën e pensioneve, qeveria, paralelisht me të ka vijuar me vënien në dispozicion të fondeve të nevojshme për rritjen e pensioneve aktuale me bonuset mujore”, tha minsitri i Financave.

Ndërsa sa i takon shpërblimit të fundvitit të vitit të ardhshëm Malaj sqaron se nuk është parashikuar po do të varet nga ecuria ekonomike.

“Bonusi i fundvitit të vitit 2026 do të vlerësohet përsëri në muajin shtator në varësi dhe të performancës që do të ketë ekonomia gjatë nëntë mujorit të parë të vitit. Sepse në këtë formë është operuar edhe në vitet e mëparshme. Për momentin nuk e keni parashikuar”, tha ministri.

Te tjera

Lajme te tjera