Kryeministri Rama tha sot se të gjithë pensionistët do ta marrin bonusin e fundvitit para festave të dhjetorit.
Gjatë një takimi me qytetarët në njësinë nr. 5 në Tiranë, ai deklaroi se ndarja e bonusit do të bëhet sipas fashave që janë sqaruar më herët. Rama tha gjithashtu se pensionet kanë peshën më të madhe në buxhet, ndërsa shtoi se rritja e tyre kërkon një punë të madhe dhe kohë.
“E kanë dëgjuar për një kohë jo të shkurtër nga unë, sesa e vështirë është për t’u rritur pensionet. Sepse duhet të ndryshojmë kushtet. Që të ndryshojmë kushtet duhet të rrisim ekonominë, të ndërmarrim reforma. Kjo në fund të ditës është një çështje mundësie, jo dëshire.
Mirëpo është edhe kërkesa që ka peshën me të madhe në buxhet. Se disa i bien shkurt dhe thonë ‘ju rrisni pagat tuaja’, mirëpo sikur t’i marrësh të gjitha pagat e deputetëve dhe t’i çosh deputetët në shtëpi, prapë shumë e mbledhur është një pikë në oqean sa për të rritur pensionet për mbi 700 mijë pensionistë. Se kam dëgjuar edhe një muhabet tjetër, për bonusin e pensionistëve që nuk do të jepet këtë vit.
Në radhë të parë, të gjithë pensionistët do të marrin ekzaktësisht bonusin që kanë marrë dhe që u është premtuar. Vjet e kanë marrë, iu është premtuar edhe këtë vit dhe do ta marrin para vitit të ri, sipas atyre dy fashave që i kemi sqaruar dhe që ju i dini më mirë se jeni me atë shkollën e aritmetikës dhe jo me Chat GTP”, u shpreh kryeministri.
