Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka shpjeguar arsyet pse mbështet Ervin Salianjin, duke reaguar ndaj kritikave nga brenda PD-së për këtë qëndrim. Përmes një postimi në rrjetet sociale Spaho shkruan se e konsideron komike mënyrën se si disa anëtarë e etiketojnë Salianjin si “Babale”, duke kujtuar se ishte vetë Sali Berisha ai që dikur e ngriti në piedestal dhe e trajtoi si figurë heroike, ndërsa ai vetë ka qenë ndër të paktët që e ka kundërshtuar këtë qasje. Sipas Spahos, sot ai po kthehet te ajo që e quan linja e vërtetë e PD-së, duke mbështetur çdo lëvizje që synon të ndryshojë gjendjen aktuale të partisë, të cilën e përshkruan si të dëmshme dhe përçarëse. “A nuk ishte Berisha qe e beri hero Babalen? I coi libra ne burg. A isha une i vetmi ne PD qe e kundershtova? A me vune drune per kete Berisha dhe Flamuri? Une sot po “reflektoj” dhe po kthehem ne linjen e PD, te Sali Berishes, qe deshte ta shfrytezonte Ervinin per lojen e tij. Me shume seriozitet e them qe, kushdo qe mund te ndryshoje statukuone e sotme vrastare ne PD, eshte i mirepritur. Me pas zgjedhjet e lira nga “flamurlleqet” do percaktojne kush do udheheqe PD”, shkruan Spaho duke theksuar kështu se kushdo që mund të sjellë ndryshim është i mirëpritur. Ndër të tjera me një tjetër reagim të tij ka ironizuar festën e demokratëve ku shfaqeshin duke kërcyer para kryetarit të partisë, Sali Berishës. “Ypppppp Xhixhi, vitin tjetër do e qërojmë Ramen”, shkruan ish-deputeti ndër të tjera.
Reagimi i Edmond Spahos:
Ka anëtarë të PD-së të cilët më pyesin se si u bashkove ti me Babalen?
Më duken shumë komikë dhe më gajasim pafundësisht. Më shumë se më gajas Flamuri me ato që bën.
A nuk ishte Berisha që e bëri hero Babalen? I çoi libra në burg. A isha unë i vetmi në PD që e kundërshtova? A më vunë dru për këtë Berisha dhe Flamuri?
Unë sot po “reflektoj” dhe po kthehem në linjën e PD-së, të Sali Berishës, që deshte ta shfrytëzonte Ervinin për lojën e tij.
Me shumë seriozitet e them që kushdo që mund të ndryshojë statuskuonë e sotme vrastare në PD, është i mirëpritur. Më pas, zgjedhjet e lira nga “flamurlleqet” do të përcaktojnë kush do ta udhëheqë PD-në.
Rrini të qetë, nuk jam aspak i interesuar të jem në ndonjë hierarki të re të PD-së. Veç kësaj, nuk besoj që do të ketë hierarki të re në PD sa kohë në drejtim janë këta të sotmit.
Piruetat e anëtarëve të PD-së (që përdorin sot termin Babale), në të vërtetë janë pirueta të udhëheqjes së lartë. Ato tregojnë që PD duhet të largojë nga drejtimi njerëzit pa dinjitet dhe pa moral, të cilët çdo gjë që ndodh aty, përfshirë rastin Salianji, e përdorin vetëm për interesa personale dhe pushteti.
Uroj që Salianji të mos jetë i shtyrë nga Berisha në këtë lëvizje. Nëse jo, kam lënë pas kontradiktat me të. Sigurisht nuk do të përqafohem dhe nuk do të jem bashkëluftëtar i tij për respekt të vetes. Nëse ai ka b***ë, le ta kritikojë Berishën direkt, siç bëj unë. Nëse synon vetëm një post në PD, ky është turpi i tij.
Dyshja që udhëheq sot PD-në nuk ka moral, gënjejnë anëtarësinë për të gëzuar privilegjet që u jep qëndrimi në opozitë, në marrëveshje me Ramën.
Kjo duhet t’i shqetësojë demokratët militantë, t’ua vërë mendjen në lëvizje dhe të shohin për një zgjidhje në interes të PD-së dhe jo të lidhen pas britmave:
“Rroftë Partia, Rroftë Komiteti Qendror me në krye…”,
“Rroftë Uniteti Parti-Popull!”
