E mërkurë, 31 Dhjetor, 2025

Zgjedhjet në Kosovë, angazhohen rreth 100 prokurorë për mbrojtjen e votës së lirë! Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Share

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën e 28 dhjetorit, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Ndërkohë sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

Vetëm 19.187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 26 nëntor-6 dhjetor.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme. 

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen këtë të diel, datë 28 dhjetor.

Te tjera

Lajme te tjera