Nga Rigels Seliman
Nënë,
Dje ishte dita jote, e unë nuk ta thashë dot “Gëzuar Krishtlindjen”. Fjalët më mbetën në zemër, ashtu si mallëngjimi që nuk di të gjejë zë. Festa që ti doje aq shumë kaloi, por mungesa jote u ndje më fort se kurrë.
Ti ishe njeri i misionit. Me mantelin e bardhë, gjithmonë pranë atyre që kishin nevojë, pa pyetur për orë, mot apo lodhje. Në shi e në borë, në vapë e në të ftohtë, ti zgjodhe njerëzit. Zgjodhe dhembshurinë. Zgjodhe shërbimin. Dhe kjo të bëri të madhe, edhe kur vetë nuk e the kurrë.
Jam i sigurt se dje ke festuar mes engjëjve. Ashtu siç dije ti: me qetësi, me dritë, me mirësi. Ndoshta dikush atje lart kishte nevojë për duart e tua të sigurta, për fjalën tënde të butë, për zemrën që nuk lodhej kurrë së dashuri.
Ti nuk je larg. Je në çdo vepër të mirë që na mëson të bëjmë, në çdo ndihmë që japim pa u dukur, në çdo sakrificë që bëjmë për tjetrin. Je në mënyrën si përpiqemi të jemi më njerëzorë.
Gëzuar Krishtlindjen, nënë.
Edhe pse nuk ta thashë dje, ta them sot, ta them gjithmonë.
Drita jote nuk do të shuhet kurrë.
