SPAK i ka dërguar më 7 nëntor ish-kryeministrit Sali Berisha fletëthirrje për tu paraqitur SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit. Sipas fletëthirrjes që është dërguar në 3 adresa, në banesën e ish-kryeministrit, selinë e PD dhe në Kuvend, Berisha duhet të paraqitet në SPAK në orën 10:00.
Por Berisha me gjasë do ta shmangë një përballje për ngjarjen ende të pazbardhur, pasi pavarësisht kësaj shkrese, mohon të jetë informuar për thirrjen në Prokurori.
Berisha tha nga selia blu se do të paraqitet në SPAK vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen ndërsa sulmoi prokurorë e posaçëm duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.
“Jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrje të organeve të drejtësisë, do ti përgjigjem. S’ka koment. Ka vetëm një kusht, që unë të marr thirrjen. Ata që përdorin këtë për propagandë për të mbuluar skandalin Rama balluku të tunelit të Llogarasë, apo për të mbuluar skandalin e madh të aeroportit të Vlorës, ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande që vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë. Njoftimi duhet të vijë siç ka ardhur dhjetëra herë të tjera dhe i jam përgjigjur. Përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i altin Troplinit, mercenar, i regjimit të Ramës, që kujton se mund të mbulojë sado pak me zhurma të tilla krime të shëmtuara të Ramës dhe ballukut. Asnjëherë mos më pyesni mua do shkosh, unë do shkoj në çdo rast që do thirrem nga organet e drejtësisë, s’mund të ketë hezitim dhe mëdyshje”, tha Berisha.
Ndonëse kjo duket një lojë e ish kryeministrit për të zvarritur paraqitjen në SPAK për të dëshmuar mbi rolin e tij në ngjarjen e 21 janarit, topin e hedh te drejtësia, që thotë se përmes “Ping pongut” të shkresave, tenton të fshehë skandalet qeveritare.
“21 janari është hetuar njëherë nga një armike e egër e Berishës dhe PD, një njeri për të cilin unë kam shprehur publikisht të gjithë konsideratat. Çështje e 21 janarit, nga viti 2013 kur ne kemi humbur pushtetin dhe deri sot është penguar të hetohet se mund të rihetohet, është penguar vetëm e vetëm për shkak të Ramës sepse deklaratat e SHBA dhe be janë të qarta, kërkojnë hetimin nga polici te organizatori kryesore. Pra çfarë ka ndodhur, ka ndodhur që prej 13 vitesh, kjo çështje përdoret për propagandë, por shoferi që i përdori mish për top njerëzit, ishte Edi Rama”, tha Berisha.
Në fakt, kjo është thirrja e dytë që Prokuroria e Posaçme çon në drejtim të ish Kryeministrit pasi e para, e firmosur më datë 3 nëntor dhe nisur vetëm në adresën e banesës së Berishës, ishte kthyer po ashtu mbrapa pa u hapur.
Thirrja e Berishës në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, bëhet vetëm pak ditë pasi në Prokurori u pyet ish ministri i tij i Brendshëm më 21 janari 2011, Lulzim Basha.
Që prej korrikut 2024, në Prokurorinë e Posaçme po zhvillohen hetimet për zbardhjen e vrasjeve shtetërore të 21 janarit 2011.
Zbardhja e 21 janarit 2011 dhe përgjegjësia e atyre që e penguan vendosjen e drejtësisë në vitet që pasuan është konsideruar nga Gjykata Evropiane të të Drejtave të Njeriut si imperativi që ngjarje të tilla të mos përsëritën më në historinë e një kombi.
