Ndonëse fletëthirrja i ishte dërguar në 3 adresa, ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK për të dhënë llogari për krimin shtetëror të 21 janarit. Prokuroria e Posaçme i kishte kërkuar që të paraqitej sot në orën 10:00, për tu marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, por Berisha është fshehur SPAK-ut duke u kapur pas teknikaliteteve.
Në një kohë kur s’ka mbetur shqiptar pa e mësuar thirrjen e tij nga SPAK, Berisha thotë se nuk ka marrë dijeni zyrtarisht. Por në të vërtetë, ai është plotësisht në dijeni, por duke u kapur pas procedurave të njoftimit të fletëthirrjes së SPAK-ut, urdhëron njerëzit e tij në Kuvend dhe parti që ta refuzojnë marrjen e fletëthirrjes, që prokuroria e nisi që më 7 nëntor në tre adresa: në shtëpinë e tij, në Kuvend dhe në selinë e PD.
Burime pranë Kuvendit thanë për Report TV se fletëthirrja e SPAK drejtuar Sali Berishës, që në momentin kur mbërriti në protokoll, i është përcjellë zyrës së grupit parlamentar të PD. Grupi ka refuzuar të tërheqë fletëthirrjen dhe ajo është kthyer pas në protokoll. Gjithashtu, Kuvendi ka njoftuar me e-mail grupin e PD për mbërritjen e kësaj shkrese dhe më pas ka njoftuar edhe SPAK se kjo fletëthirrje nuk është tërhequr. Kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur.
SPAK përgënjeshtron Berishën
Fakti që Berisha ka refuzuar fletëthirrjet u konfirmua edhe nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila përgënjeshtroi pretendimet e tij. SPAK sqaroi për Report Tv se fletëthirrja që iu dërgua Berishës më datë 3 nëntor është kthyer pas me mbishkrimin “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” Ndërkohë, më datë 09 nëntor, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12 nëntor grupi i PD ka refuzuar të marrë fletëthirrjen nga Kuvendi. Më pas, SPAK thotë se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: [email protected], më datë 10 nëntor.
“Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi”, thekson SPAK në njoftim.
Por, Berisha u zu ngushtë nga gazetarët të cilët po i lexonin live në konferencë për shtyp njoftimin e SPAK. Kreu i PD pretendoi se nuk e ka në përdorim këtë email dhe se sipas tij, fletëthirrja nuk i kishte mbërritur as në banesë dhe as në seli, por vetëm në Kuvend duke akuzuar Altin Dumanin për lojëra.
Policia mund ta çojë me forcë në SPAK
Një gjest i tillë nga një ish president i vendit dhe një ish kryeministër që synon sërish të drejtojë shtetin shqiptar, mund të shihet edhe si një arratisje që në sytë e shqiptarëve mund të shihet si prova e radhës e fajësisë së tij për krimin shtetëror të 21 janarit. Nëse thotë se është i interesuari i madh që ngjarja të zbardhet do të duhej të shkonte për të provuar pretendimin për pafajësinë e tij.
Kodi i Procedurës Penale i ka të qarta hapat nëse një person që ka dijeni për një krim refuzon t’i përgjigjet thirrjes nga ana e organit të akuzës. Nëse kjo do të ndodhë edhe pas fletëthirrjes së tretë, atëherë SPAK ka detyrimin të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të Sali Berishës, që të japë llogari për vrasjet në bulevard nga armët e shtetit, para zyrës së qeverisë që ai drejtonte.
Dosja 21 janari
Thirrja e Berishës vjen disa ditë pasi SPAK mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i Brendshëm. Më 30 tetor, Basha u mor në pyetje për rreth një orë, por në dalje nga Prokuroria e Posaçme ai nuk dha asnjë detaj, duke deklaruar se çështja është në hetim dhe se respekton sekretin hetimor.
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.
