Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar përfaqësuesit e Unionit të Afaristëve të Luginës së Preshevës: Kryetarin z. Xhelal Mehmeti, anëtarin e kryesisë z. Shefki Jonuzi dhe anetarin z. Shyqëri Bytyqi.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që prekin komunitetin shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Presidenti Begaj, në cilësinë e kreut të shtetit dhe simbolit të unitetit kombëtar, shprehu angazhimin e tij të plotë për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Ai siguroi se çështjet që lidhen me të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës mbeten një prioritet për institucionet shqiptare.

Përfaqësuesit e Unionit informuan Presidentin mbi situatën aktuale në këtë trevë dhe evidentuan shqetësime të theksuara, përfshirë çështjen e pasivizimit të adresave të qytetarëve shqiptarë në Serbi – një problem që po prek qindra familje. Ata theksuan gjithashtu nevojën për mbështetje në fushën ekonomike dhe kërkuan ndihmën e institucioneve shqiptare për të avancuar projekte që do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të zonës.
Nga ana e tij, Presidenti përgëzoi bashkimin e bizneseve shqiptare të Luginës dhe atyre në diasporë për qasjen e duhur ekonomike në zhvillimin e agrokulturës në këto treva, duke theksuar se nxitja e investimeve dhe sigurimi i tregjeve për prodhimet e kësaj zone është një pikë e mirënisur për fuqizimin ekonomik të rajonit dhe për frenimin e emigrimit të të rinjve.
Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e Unionit shprehën mirënjohjen për Presidentin Begaj, duke vlerësuar qasjen e tij patriotike dhe institucionale, si dhe përkushtimin për të mbështetur diasporën shqiptare dhe çështjen kombëtare në të gjitha angazhimet ndërkombëtare.

Presidenti Begaj mbetet një ndër figurat e pakta institucionale në historinë e shtetit shqiptar që, në çdo vizitë zyrtare jashtë vendit, ka vënë në plan të parë çështjet që prekin shqiptarët jashtë kufijve dhe angazhimin me diasporën.
Në Serbi jetojnë mbi 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022.
