Detaje të reja janë zbardhur dosjen voluminoze e hetimit të aferës së ish kompleksit ‘Partizani’ për të cilën po hetohet nën masën e sigurisë arrest me burg Jamarbër Malltezi dhe në masë sigurie detyrim me paraqitje ortaku i Malltezit, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe ish kryeminsitri Sali Berisha.
Mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për një dosje prej 200 faqesh.
Ndërkohë Fatmir Bektashit dhe Sali Berishës u është bllokuar pasaporta meqëllim që të ndalohen të largohen nga Shqipëria.
Në vendimin e gjykatës thuhet se ekziston mundësia që Berisha të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.
“Për të hetuarin Sali Berisha plotësohet kushti i parë i veçantë i parashikuar nga shkronja “a”, pika 3, të nenit 228 të K.Pr.Penale, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. Për faktin e ndodhur po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit dhe për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë shtetasi nën hetim Sali Berisha në kohën e kryerjes së veprës penale, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por edhe funksionit të tij aktual si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shtetasi nën hetim i lartpërmendur, për shkak të marrdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit të funksioneve të mësipërme dhe influencave që mund të ketë tek persona të tjerë, ekziston mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.” thuhet në vendimin e argumentuar të gjyqtares Irena Gjoka.
Sipas SPAK Sali Berisha dyshohet se ka konsumuar vepren penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
“Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi” thuhet në deklaratën e SPAK.
Gjithashtu sipas dosjes Malltezi, ka fituar si trashëgimtar i pronarëve një sipërfaqe prej 140 metra katror. Por metrat filluan të shtohen kur Malltezi ka lidhur marëveshje me anëtarët e tjerë të fisit që ishin trashëgimtarë të tokës.
Për çdo marëveshje Malltezi ka kërkuar 3 deri në 5 për qind të sipërfaqes së tokës, që ata gëzonin. Këto marëvedhje për dhurimin e 5 përqind të metrave të pronës, detyrimisht zgjeruan dhe sipërfaqen e tokës për Malltezin.