E hënë, 19 Janar, 2026

Viti i Ri 2026 ka mbërritur në të gjithë botën, me spektakle madhështore, masa të shtuara sigurie dhe momente përkujtimore

Share

Viti i Ri 2026 ka mbërritur tashmë në mbarë botën, duke u shënuar me festime, spektakle dhe momente reflektimi në vende të ndryshme. Vendet e Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës ishin ndër të parat që hynë në vitin e ri, ku qytetet u ndriçuan nga fishekzjarrë, shfaqje me drita dhe evente festive që tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare.

Në veçanti, në Dubai u zhvillua një spektakël madhështor nga ndërtesa më e lartë në botë, i shoqëruar me shfaqje dronësh, muzikë dhe avionë uji, duke e kthyer ndërrimin e viteve në një ngjarje globale.

Australia e priti Vitin e Ri nën një atmosferë më solemne, duke mbajtur një minutë heshtje në nderim të 16 viktimave të Bondit, të vrarë disa javë më parë gjatë një sulmi terrorist në një event hebraik në plazhin Bondi. Megjithatë, spektakli tradicional i fishekzjarrëve u zhvillua, por nën masa të rrepta sigurie.

Nga ana tjetër, Kina vendosi të anulojë shfaqjen e zakonshme të fishekzjarrëve mbi Portin Victoria, pas një zjarri masiv në muajin nëntor që mori jetën e të paktën 161 personave, duke e shndërruar ndërrimin e viteve në një moment përkujtimi dhe respekti.

Viti i Ri 2026 ka mbërritur gjithashtu në Afganistan, Iran, Korenë e Jugut dhe Rusi, si dhe në shumë vende të tjera anembanë globit, përfshirë Irakun, Turqinë, Arabinë Saudite, Etiopinë, Kenian, Somalinë, Tanzaninë, Madagaskarin, Ugandën, Sirinë, Eritrenë, Jordaninë, Kuvajtin dhe Jemenin.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën nën Portën e Brandenburgut në kryeqytetin e Gjermanisë Berlin për të nisur fillimin e vitit 2026. Deri në 60,000 njerëz ishin të pranishëm në rrugë në anën perëndimore të Portës që dikur ndante Berlinin Lindor dhe Perëndimor deri në rënien e Murit të Berlinit në nëntor 1989.

Egjipti ofroi pamje spektakolare, me fishekzjarret që ndriçuan qiellin sipër piramidave historike.

Parisi e nisi 2026-ën me fishekzjarre masive të cilat për një moment mbuluan monumentin e Harkut të Triumfit në një shfaqje të zjarrtë. Mijëra njerëz u mblodhën në Champs Elysees të kryeqytetit francez për të ndjekur spektaklin e organizuar.

Ndërkohë në anën tjetër të oqeanit, ndërrimi i viteve u prit gjithashtu me festë. Në Nju Jork në Times Sqaure u numërua mbrapsht derisa akrepat trokitën 12. Më tej në Las Vegas viti i ri 2026 u prit me spektakël fishekzjarresh dhe me qindra njerëz që ishin mbledhur nëpër rrugë dhe sheshe.

Me përfundimin e festimeve në zonat e fundit kohore, Viti i Ri 2026 tashmë ka hyrë zyrtarisht në çdo cep të botës, duke sjellë shpresë për paqe, stabilitet dhe një fillim më të mirë për miliona njerëz.

Te tjera

Lajme te tjera