Kryeministri Edi Rama, mbajti këtë të dielë (24 nentor) takimin me shqiptarët e Londrës për tu kërkuar atyre votën në 2025-ën, e për t’I ftuar të investojnë në vendin e tyre. Takimi nuk i shpëtoi sfondit politik e përplasjeve të Tiranës, pasi një grup qytetarësh të organizuar nga PD-në, protestuan brenda e jashtë sallës.
Ndryshe nga takimet e tjera, ky që kryeministri Edi Rama mbajti në Londër me emigrantët shqiptarë, nuk i shpëtoi përplasjes politike të Tiranës. Një grup të rinjsh të organizuar nga Partia Demokratike arritën të infiltroheshin e të futeshin në deri brenda sallës ku po mbahej aktiviteti, në ‘Copper Box Arena Queen Elizabeth Olympic Park London’
“Keqardhje” tha Rama duke lënë të kuptojë se janë të nxitur nga PD për të cilën tha se është ‘Parti që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj”.
‘”Ndejsë për të një grusht të verbërish atje tek dera, të nxitur nga të verbrit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë e bërtisnin aty përballë. Keqardhje por asnjë dyshim me vetëdije se edhe ata janë pjesë e familjes son të madhe … Ata pak që ishin futur si diversantë nuk janë fajtorë se përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata e ju me votë duhet ti tregoni se duhet të largohen një herë e mirë. Dasia u shfaq sot. 3 mijë veta këtu e 30 vetë jashtë. E kanë bërë parlamentin e Shqipërisë sokakun e të marrëve, që shajnë e predikojnë shkatërrim’ tha Rama.
Kërkesën për emigrantët e Londrës e kishte të qartë, votën në 2025-ën, me një qëllim madhor, jo vetëm anëtarësimin në BE, por siç e cilësoi ai, edhe për të çliruar opozitën nga pengmarrësit.
Pranverën e ardhshme unë e dua votën tuaj nga ky gadishull për tju bërë edhe më krenar për shqipërinë në sytë e botës, e për ta bërë bashkë me ju më të mirë prcdo shqiptarë dhe fëmijet e këtij vendi, e të atyre që ishin aty tek dera të verbuar e të keqkuptuar. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë jo një fitore vendimtare, por përfundimtare edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga historia
U ndal dhe tek ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën, vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani. Rama tha se po shfrytëzohet për luftën e pushtetit dhe protesta e nisur në Tiranë nuk është revoltë qytetare por e nxitur nga opozita për pushtet.
Ku bën vaki, në cilin vend demokratik, që pa u varrosur ende kufoma e një viktime të pafajshme të dalin djajtë nga shishet dhe tia marrin valles së luftës për pushtet, ndasive duke shkelur mbi trupin e të ndjerit dhe shkelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejtë prej tragjedisë. Po motivohen protesta partish të maskuar si revolta qytetare.
Dha dhe një lajm të mirë për të gjithë ata emigrantë shqiptarë të cilët për të përfituar letrat e qëndrimit në Britaninë e Madhe, janë vetëdeklaruar si kosovarë që i largoheshin luftës.
Do të ndërmarrim një nismë ligjore për regjistrimin pa problem të të gjithë shqiptarëve që u regjistruan si kosovarë në Angli, dhe rikthimin e emrit tuaj, të nënës e babës”.
E ndërsa u kujtoi emigrantëve të Londrës përballjen e tyre me luftën për mbijetesë e diskrimimin e politikës, u kërkoi atyre të ndihen si të barabartë, sepse së shpejti Shqipëria do të ketë mundësi të ngrejë flamurin e saj në Bruksel.
Një ish-ministre e brendshme e këtij vendi (Suela Braverman) na bëri pushtues sikur shqiptarët ishin zaptues dhe plackitës. Ajo teta ( per Braverman) qe i’u tregonte ju me gisht iku nga pushteti bashke me shpurën e vet.
Takimi i sotëm në Londër ishte në kuadër të turit me diasporën nisur prej muajsh. Kryesocialisti Rama ka zhvilluar takim me shqiptarët në Selanik më 3 nëntor, po ashtu në Athinë, në Itali si edhe takim me shqiptarët në SHBA, më 26 tetor. Në të gjitha takimet e zhvilluara me shqiptarët e Greqisë, Italisë e Nju Jorkut, Kryeministri i ka bërë thirrje emigrantëve që të votojnë për Partinë Socialiste, si e vetmja forcë politike në Shqipëri që do e bëjë vendin anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade.