Aktivistja e njohur Evi Kokalari shprehet se dhuna dhe flaka në Parlament e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha po heqin vëmendjen nga korrupsioni qeveritar i Edi Ramës. Sipas saj, skema e Berishës për të shpëtuar nga prangat e SPAK do të dështojë pasi kryeministri nuk e ndihmon dot. Shumë shpejt, sipas Kokalarit Rama do të dalë vetë përpara Prokurorisë së Posaçme. “Dhuna dhe flaka në Parlament po heqin vëmendjen nga korrupsioni qeveritar i Edi Ramës dhe po e identifikojnë opozitën si një grup huliganësh në spektrin politik të vendit. Nuk jam e sigurt pse opozita po e bën këtë duke pasur zgjedhje elektorale vitin e ardhshëm. Nëse Berisha mendon se do t’i verë presion Edi Ramës duke kërkuar qeveri teknike, dhe si pasojë Rama do të bjerë dakord për të influencuar SPAK-un që ta lërë Berishën rehat, dua t’ju them që nuk do ndodh. SPAK-u sponsorizohet nga SHBA dhe nuk është dora e Sorosit, prandaj nuk do t’ia dijë për Ramën. Madje, Rama do të dalë para SPAK-ut vetë shumë shpejt. Ju lutem, boll morët nëpër këmbë një popull të tërë. Disa akoma shpresojnë për ndryshime në 2025 dhe ju si opozitë po e bëni të pamundur fitoren. Asnjë shqiptar s’ia ka për borxh, dhe asnjë shqiptar nuk është aq budalla sa të besojë se çfarë po bëni është mënyra më e mirë për të fituar. Korrupsioni i qeverisë së Ramës nuk ndalohet me këto forma. Shqipëria ka nevojë për ju të gjithë të dilni nga politika dhe ta lini popullin rehat në hallet e veta. Parlamenti ka nevojë për seriozitet dhe dinjitet. Asnjë nuk e meriton këtë trajtim nga klasat politike – asnjë”, shkruan Kokalari.
Protesta
Aktivistja e njohur Evi Kokalari ka paralajmëruar se demokratët që kanë vendosur që t’i bashkohen protestës së ish-kryeministrit Sali Berisha më 7 tetor do të përballen me probleme. Sipas saj, ata janë viktima të treshes Berisha-Rama-Meta. Në një reagim në rrjetet sociale, ajo shprehet se ata janë në një pazar bashkë pasi çdo zgjedhje deri më sot i kanë shitur, njësoj si me zgjedhjet lokale të 2023, të cilat u dhanë në tavolinë në këmbim për kullat e familjes së Berishës. “I përgjërohem demokratëve, dhuna nuk është përgjigje. Do hapni probleme për veten tuaj, por ju e dini shumë mirë që nuk do zgjidhni gjë. Mos bini viktimë. Jam e shokuar që një ish-President, ish-Kryeministër i Shqipërisë bën thirrje për mosbindje civile! Jam e turpëruar se sa verbërisht e kam mbështetur këtë njeri që sot thërret për dhunë ndaj popullit të tij. Sigurisht që duhen zgjedhje të lira, por e besoni vërtet Berishën kur asnjë nga zgjedhjet në PD nuk ishin të lira? Sigurisht që duhet rotacion, por doni realisht të shkoni nga Edi Rama te Meta dhe Berisha? Zgjedhjet lokale 2023 u shiten për kullat e familjes së Berishës. Boll u viktimizuat me dëshirë. Dikur, përpara Covidit, në Tiranë u bë një nga protestat më të bukura që kam parë, paqësore dhe masive. Këto janë protestat që duhet të bëjë opozita. Mos bini viktimë. I thoni JO dhunës dhe shkatërrimit të pronës shtetërore. Ky është kurth për problemet vetjake të një pjese të vogël që përfundimisht ka marrë peng opozitën. Boll më!”, shprehet Evi Kokalari.
Opozita
Sipas saj grupi i PD që po ushtron dhunë në emër të Berishës do të pastrohet. “Ka një grup injorantësh në Parlament që shtyjnë dhunën në emër të Berishës. Ky grup do të pastrohet! Ka një grup tjetër deputetësh në PD që këto tre vitet e fundit ka treguar dinjitet dhe janë munduar të bëjnë punën e tyre pa u ngatërruar me ata që thjesht bëjnë teatër në emër të pazarit me Ramën. Këta janë deputetët që duhet të mbeten në PD, dhe këtij grupi i duhen shtuar intelektualë dhe individë nga diaspora. PD do të pastrohet. Më besoni për këtë. Shumë gjëra po ndodhin në shumë drejtime, dhe së shpejti do të pastrohet jo vetëm PD-ja, por edhe media. Atëherë do të fillojë beteja e vërtetë dhe serioze me mazhorancën. Rruga duket pak e gjatë, por është në mënyrë absolute e mundshme. Bëni dhe pak durim”, thotë Kokalari.