E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

“Tragjedia” e Brexit mund të përsëritet në Evropë, alarm i kuq vjen nga Gjermania, politikania e fuqishme trondit me propozimin për “Dexit”, ja çfarë rrezikon vendi nëse partia e ekstremit të djathtë vjen në fuqi

Share

Organizimi i një referendumi për të lejuar votuesit gjermanë të votojnë për daljen eventuale të Gjermanisë nga Bashkimi Evropian. Ky është premtimi i fundit i Alice Weidel, udhëheqëse e Alternative für Deutschland (AfD). Nëse partia e ekstremit të djathtë vjen në pushtet në Gjermani, Weidel, e cila përshëndeti daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga blloku evropian si “absolutisht të drejtë”, tha se do të nxiste një zgjedhje të stilit të Brexit. E intervistuar nga media “Financial Times”, Weidel deklaroi se “është një model për Gjermaninë që mund të merret një vendim i tillë sovran”. Drejtuesja e partisë gjermane që nga viti 2022, vetë Weidel ka thënë se një qeveri e AfD-së do të kërkojë të reformojë BE-në dhe të heqë “deficitin e saj demokratik”, duke përfshirë kufizimin e kompetencave të Komisionit Evropian, të përcaktuar si një “ekzekutiv i pazgjedhur”. “Por nëse reforma nuk është e mundur, nëse nuk mund të rindërtojmë sovranitetin e vendeve anëtare të BE-së, duhet t’i lëmë njerëzit të vendosin, ashtu siç bëri Britania,” tha ajo. “ Dhe ne mund të zhvillojmë një referendum për “Dexit”, pra daljen e Gjermanisë nga BE-ja”, shtoi Weidel.

Mundësia e “Dexit”

Një ide e tillë thyen një tabu të madhe në Gjermani, ku partitë kryesore janë fort pro-evropiane. Për më tepër, kushtetuta gjermane vendos kufizime të rrepta për plebishitet kombëtare dhe, edhe nëse do të mbahej një i tillë, sondazhet sugjerojnë se një shumicë e madhe e gjermanëve do të votonin për të qëndruar në BE. Megjithatë, mbështetja për Bashkimin Evropian është më e dobët në mesin e votuesve të AfD. Ndërkohë, fjalët e Weidel erdhën në një kontekst të një rritjeje të shpejtë të mbështetjes elektorale për AfD-në, e cila tani është rreth 22% në sondazhe, përpara të tre partive të koalicionit të lëkundur të kancelarit Olaf Scholz, pra Social Demokratët. AfD pritet të fitojë zgjedhjet vendimtare të shtatorit në shtetet lindore të Saksonisë, Brandenburgut dhe Turingisë. Në çdo rast, me refuzimin e të gjitha partive të tjera të mëdha për të lidhur marrëveshje koalicioni me AfD-në, rruga e partisë së ekstremit të djathtë drejt pushtetit është ende e paqartë.

Ngritja e AfD

Weidel pranoi se AfD nuk do të ishte në gjendje të merrte pushtetin në Berlin përpara vitit 2029, por tha se një rol i ardhshëm në qeveri ishte “i pashmangshëm”. Ajo parashikoi se CDU, partia e qendrës së djathtë e ish-kancelares Angela Merkel, do të ishte e para që do të thyente “murin e zjarrit” të forcave të establishmentit dhe do të ishte aleate me AfD. Ajo tha: “CDU nuk do të jetë në gjendje të ruajë murin e saj të zjarrit në një afat të gjatë.” “Ne mund të formojmë një shumicë të pastër të djathtë. Dhe CDU nuk mund të refuzojë ta pranojë këtë në terma afatgjatë, veçanërisht në shtetet lindore.” Pasi të jetë në pushtet, Weidel tha se partia do të reformojë ligjet e taksave, do të zvogëlojë shtetin dhe do t’i japë fund kalimit të Gjermanisë në energjinë e rinovueshme. AfD është klasifikuar si ekstremiste e krahut të djathtë nga shërbimet e inteligjencës në tre shtete të Gjermanisë Lindore.

Plani për emigrantët

Ditët e fundit Weidel e ka gjetur veten në sy të stuhisë mbi raportet për një takim të diskutueshëm që u zhvillua nëntorin e kaluar midis disa anëtarëve të partisë së saj dhe radikalit austriak të ekstremit të djathtë Martin Sellner. Të pranishmit thuhet se diskutuan një plan “riemigrimi” për të larguar me forcë miliona emigrantë. Nga ana e saj, Weidel nuk mori pjesë në takim dhe menjëherë shkarkoi një bashkëpunëtor të ngushtë që ishte i pranishëm. Nuk ishte e mjaftueshme, pasi Lars Klingbeil, lideri i Social Demokratëve, e akuzoi atë për minimizimin e planit të dëbimit. Në intervistën e saj, Weidel goditi Correctiv, organin hetues që ekspozoi i pari takimin e lartpërmendur, duke dënuar metodat e organizatës si “skandaloze”. “Ishte thjesht një përpjekje për të kriminalizuar vetë idenë e riatdhesimit të ligjshëm të njerëzve që nuk kanë leje të qëndrojnë këtu, ose që i nënshtrohen një urdhri deportimi,” tha Weidel, e cila tani përfundoi nën qendër të vëmendjes, për mirë ose për keq.

Te tjera

Lajme te tjera