Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani ditën e djeshme ka prezantuar punën e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Ka qenë ambasada gjermane ajo që bëri me dije lajmin, duke ndarë një foto nga takimi, teksa ka përgëzuar SPAK-un për punën e bërë deri më tani. Kreu i SPAK ka prezantuar para ambasadorëve rastet e korrupsionit në nivelet e larta, por veç korrupsionit, Dumani ka folur dhe për punën e gjatë dhe goditjet ndaj grupeve të strukturuara kriminale që kanë bërë të mundur arrestimin e personave të njohur të botës së krimit. Po ashtu Dumani u ka treguar ambasadorëve dhe për “dosjet e nxehta” me emra “VIP”-ash që kanë në duar, për të cilat vijon ende puna.
Gjermania premton mbështetje për “FBI shqiptare”
Në lidhje me këtë takim ambasada gjermane tha SPAK është pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe se ka ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “ Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, prezantoi punën e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Europe House. SPAK është pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe tashmë ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e përgëzojmë Altin Dumanin dhe ekipin e tij për këto arritje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim më tej punën e tij”, thuhet në postimin e Ambasadës gjermane. Kujtojmë se viti i kaluar dhe ditët e para të këtij muaj tregojnë se SPAK nuk po kursen askënd. Uragani i drejtësisë së re nuk po kursen as “peshqit e mëdhenj”, po shkund pluhurin në dosjet e vjetra, po “kap” biznesmenë të lidhur ngushtë me krimin, madje po prek dhe të “paprekshmit” e politikës. Por këto zhvillime të bujshme nuk mund të ndodhnin pa ndihmën e ndërkombëtarëve. SHBA-të dhe BE kanë investuar miliona dollarë për reformën në drejtësi në Tiranë. Kjo lëvizje e tyre ka bërë që krerët e lartë të korruptuar të politikës të mbeten pa mburojën e tyre të fuqishme që i ka shpëtuar nga skandalet dhe aferat gjithë këto vite. Kjo ka sjellë që për herë të parë drejtësia e re të shkojë në nivele të larta duke goditur ish-kryeministra. Prokurorët u futën në oborrin e familjes “Berisha” duke arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit dhe kanë izoluar kreun e Foltores në arrest shtëpie. Situata e tij nuk mbaron me kaq, pasi dosjet e tij janë mal në SPAK. Madje ai do të paraqitet për herë të parë para SPAK për të dhënë sqarime për aferën e Klubit Partizani. Nga ana tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj; ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani; ish-ministrja e Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca; ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj; ish-ministri Damian Gjiknuri; ish-ministri Fatmir Mediu, ish-ministri Aldo Bumçi; ish-ministri Arben Imami; ish-ministri Petrit Vasili; ish-ministri Vangjel Tavo; ish-ministri i Berishës, Ilir Meta dhe një grup biznesmenësh e oligarkësh të fuqishëm në Shqipëri, duket se janë një hap larg burgut. Të gjithë emrat e sipërpërmendur dyshohet se janë përfshirë në afera të rënda korruptive dhe kriminale. Dosjet që mbajnë emrat e këtyre ish-ministrave, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po i kopsit një nga një. SPAK e BKH iu ka futur në sitë pasurinë, iu ka sekuestruar prova dhe iu ka bërë kontrolle në banesa dhe biznese.