E martë, 20 Maj, 2025

Spartak Ngjela skanon zgjedhjet: Edi Rama në pushtet nga apatia, Sali Berisha e ka kthyer PD-në në makth personal

Share

Dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Spartak Ngjela shpërfaq një panoramë politike të ngrirë, ku mungesa e garës reflekton jo qetësi, por dorëzim. Sipas tij, fitorja e Partisë Socialiste është pothuajse e sigurt, ndërsa Partia Demokratike mbetet peng i një lideri të rrënuar moralisht dhe ligjërisht. “Si është sot gjendja politike dhe shoqërore, tre ditë para zgjidhjeve elektorale për qeverinë e re në Shqipëri? Gjithçka ecën me qetësinë e asgjësë. Dhe kjo po tregon që, edhe pse jemi përpara zgjedhjeve të reja në 11 maj të këtij viti, nuk po ndihet asnjë lloj lëvizjeje që të tregojë se jemi përballë një tensioni elektoral.  Dhe pse po ndodh kjo? Duke i qëndruar praktikave zgjedhore në rang kombëtar në përplasjen për drejtimin e pushtetit politik në Shqipëri, kjo situatë qetësie e këtij lloji ndodh vetëm atëherë kur opinioni publik është i sigurt për fituesin e zgjedhjeve. Debate të vakëta dhe pa ide po zhvillohen sot.

Socialistët po ndihen të sigurt, kurse Partia Demokratike nuk ka se çfarë të thotë. Dhe opinioni publik e di se nuk ka asnjë gjë të re, por edhe fituesi, që dihet se janë socialistët, nuk ka tension dhe po qëndron i qartë në krijimin e tij të sigurisë paraprake, për fitoren që do të korrë në datën 11 maj. Në të vërtetë na duhet të themi se kjo është kriza e Partisë Demokratike. Por kriza e Partisë Demokratike në fakt është kriza  e kryetarit të saj. Prandaj kjo situatë krize e ka larguar Partinë Demokratike nga impenjimi për fitoren e mundshme, dhe kjo po kuptohet. Janë sondazhet që e nxjerrin Partinë Socialiste deri në 12 pikë përpara, por është edhe intuita e demokratëve që e dinë se ata nuk kanë një lidership fitues. Kjo ka ndodhur sepse ajo parti është e pushtuar nga Sali Berisha, i cili tani dihet se është non-grata në Amerikë për korrupsion, dhe me gjithë familjen e tij. Por, si shpjegohet që ky kryetar ta mbajë peng një parti që është përfaqësuese e dyzet përqind të elektoratit shqiptar? Kjo çështje ka hyrë ndërkaq në një fenomen absurd, sepse Sali Berisha që është kryetari i Partisë Demokratike, është edhe i akuzuar nga SPAK për korrupsion. E pra, e kuptoni se çfarë po ndodh? Sali Berisha që është duke u gjykuar për korrupsion nga SPAK, me mendjelehtësi mendoi se, duke qenë në krye të Partisë Demokratike, ai do ta fitonte pushimin e çështjes penale të ngritur kundër tij. Dhe prandaj, shumë shpesh gjatë kësaj kohe, ai ka kërcënuar SPAK- un se, kur ai të vinte në pushtet, do ta shkatërronte atë si institucion. Asgjë. Gjithë kjo luftë pa fare nivel e Saliut e solli gjendjen që nga asgjëja të vinte një asgjë për vet Sali Berishën.

Prandaj sot në Shqipëri ka marrë fund çdo mundësi që zgjedhjet e 11 majit të këtij viti të fitohen nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Por duke u ndodhur përballë këtij fenomeni, ne na duhet të themi këtë shprehje për humbësin e pritshëm të këtyre zgjedhjeve: Asgjëja e mosasgjësë së asgjësë sime, mua Saliut, ma shkallmon kaq shumë mendimin, sa, me asgjënë që kam brenda meje, unë po vajtoj për humbjen time në zgjedhjet e 11 majit 2025”, shkroi avokat Ngjela në rrjetet sociale.

Te tjera

Lajme te tjera