Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin për “arrest shtëpie” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Seanca që ishte përcaktuar për t’u mbajtur ditën e djeshme u shty për sot në orën 09:00 kur edhe u mor vendimi për ankimin e Sali Berishës. Vendimi u mor nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:
Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”– thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO.
Ndërkohë avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj e cilësoi vendimin e Apelit për lënien në fuqi të masës së arrestit ndaj ish-kryeministrit si një vendim politik dhe deklaroi se do të bënin rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa shtoi se Apeli i GJKKO nuk është shprehur për kërkesën e tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka e cila dha vendimin për caktimin e masës ‘arrest shtëpie’ ndaj kreut të Rithemelimit.
“Berisha u paraqit për t’u marrë në pyetje, dje gjykata e shtyu seancën për sot dhe nuk e kuptoj arsyen përse. Gjykata ka bërë gjithashtu edhe një gabim tjetër sepse nuk është shprehur gjithashtu mbi kërkesën për përjashtimin që kemi ankimuar. Vendimin do ta rekursojmë në Gjykatën e Lartë“- tha Gjokutaj.