Rigels Seliman
“Kutia e Pandorës” për aferën e Gërdecit ka nisur të hapet. Për herë të parë, SPAK ka marrë në pyetje 11 dëshmitarë nga lista e plotë me 71 persona, në seancën ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit që ndodhi në 15 mars të 2008 duke u marrë jetën 26 personave të pafajshëm. Familjarë të viktimave dhe ish punëtorë të fabrikës së demontimit të armëve në punishten e Gërdecit që janë dëmtuar prej tragjedisë, përmes dëshmive të tyre kanë treguar se si ndodhi dhe çfarë e shkaktoi shpërthimin. Ditët “e ankthit” për familjen “Berisha” sapo kanë filluar, pasi Saliu dhe Shkëlzeni mund të fundosen nëse hetimet e kësaj afere marrin një kthesë tjetër nga dëshmitë që janë dhënë dje dhe do të jepen në vijim. Seanca e radhës do të mbahet më 27 tetor, ora 12:00. Deri më tani ndër personat që kanë dëshmuar janë, çifti Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, prindërit e Erisonit që u vra nga shpërthimi i municioneve, në 15 marsin e 2008, Drita Cani, Alketa Hazizi që punonin brenda fabrikës së demontimit si dhe ish roja i fabrikës, Fejzi Shehu.
Çfarë e shkaktoi shpërthimin?
Një prej dëshmitarëve Fejzi Shehu, ish roje në fabrikën e Gërdecit të armëve tregoi se kishte punuar dy ditë në fabrikën e demontimit, por tha se ka parë momentin kur karroca e salduar që përdorej për transportin e predhave, ka marrë flakë ditën e ngjarjes më 15 mars. “Kam punuar në fabrikë me 14 dhe 15 mars. Isha roje tek porta kryesore e fabrikës së demontimit aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një fëmije i një personi që kërkonte t’i jepte ushqimin të ëmës. Qesen e mora unë dhe jam futur brenda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën pranë një karrocë dhe njerëzit filluan të bërtisnin për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi dhe ika me vrap. Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës nga Qemal Deliu. Kam parë Qemalin që atë ditë ka dal dy tre herë jashtë për të salduar karroca dhe të gjitha lëvizjet bëheshin me lejen e përgjegjësit. Emrin e tij Qemalit e kam mësuar pas shpërthimit sepse nuk e njihja pasi kisha vetëm dy ditë qe punoja në fabrikë.” ka thënë Fejzi Shehu mes të tjerash.
Çfarë ndodhi brenda Gërdecit?
Ish-punonjëset Alketa Hazizi dhe Drita Cani thanë se baruti ishte hedhur kudo dhe se në fabrikë nuk kishte masa sigurie. Dëshmitaret tregojnë gjithashtu se disa prej tyre nuk kishin as kontrata pune dhe nuk kishin bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Ata kanë dhënë detaje si bëhej demontimi i armëve në ditë të zakonshme pune, por edhe nga momentet e tmerrit kur ndodhi shpërthimi tragjik. “Aty kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, kishim vetëm një përgjegjës me emrin Vangjel”, tha dëshmitarja tjetër Drita Cani. “Ne i shkarkonim nga kamionët hapnim arkat dhe më pas me mjete të ndryshme si sqeparë dhe dalta i hiqnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat largoheshin me fadroma ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej tek magazina”, shtoi Cani. “Kam punuar për disa muaj, nga shpërthimi më ka humbur jetën vjehërri. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk kishim bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Në fillim bashkë me burrin dhe vjehrrin e kemi nisur duke çmontuar fishekë dhe më pas kemi kaluar tek predhat. Procedura ishte e njëjtë i çmontonim me çekiçë u hiqnim diabolën dhe më pas predhat merreshin me fadromë ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej në magazinë. E gjithë fusha ishte e mbushur me barut, nuk e kuptova nga dolën flakët vetëm kam dëgjuar të bërtiturat, flakë -flakë, ngrita kokën dhe pashë që flaka ishte tek thasët e barutit”, u shpeh Hazizi.
Punonjës minorenë në fabrikë, nuk kërkohej asnjë dokument
Një person tjetër që dëshmoi ishte Vasil Laçi, i cili humbi të ëmën në shpërthimin e Gërdecit. Ai deklaroi punonte dhe vetë në fabrikë dhe ishte vetëm 14 vjeç. Ai tregoi se punën e nisi në vitin 2007 ku më pas mori të ëmën dhe babanë. Më tej tregoi se në momentin që ndodhi shpërthimi të gjithë u larguan por e ëma dhe i ati ngelën brenda. E ëma i humbi jetën pas 10 ditësh në Itali, ndërsa i ati qëndroi për 9 muaj në koma asokohe. “Në 2007 unë kam filluar punë në fabrikën e çmontimit. Më pas erdhën predhat e më pas unë mora në punë mamin e babin. Ndodhi më pas shpërthimi. Mami e babi mbetën brenda. Mamin e dërguan për Itali ku ndërroi dhe jetë pas 10 ditësh. Babi qëndroi 9 muaj në gjendje kome. Ikëm më vrap. Pamë një flakë që shpërtheu. Isha 14 vjeç kur u punësova. Nuk më kërkuan as dokumente as asgjë. Kur bëra gjyq për dëmshpërblim, kisha gjyqtare gruan e Azem Hajdarit, më tha kush të tha me hy me punuar. Pse ike në punë më tha? Isha nevojtar. Pse na lejoi shteti të hymë e të punoj. Po të isha me këto mend nuk shkoja kurrë të punoj”, theksoi 31-vjeçari.
Zamira Durda çon fletoret e djalit të vrarë në gjykatë
Familja Durda, që humbi djalin e mitur në Gërdec më 15 Mars 2008, pati përplasje me avokatët e Mediut, pasi në atë kohë nuk i tregoi gjykatës që djali i tij i madh kishte punuar në fabrikën e demontimit të armëve për 1 muaj e gjysmë, fakt të cilin e kishte pohuar në prokurori një muaj pas tragjedisë. “Atëkohë s’kam qenë as në qiell e as në tokë. Se keni idenë çdo të thotë të humbasësh një djalë 6 vjeç”, iu kthye ai avokatëve, të cilët insistonin të dinin se ku punonte sot i biri, por gjykata se lejoi të përgjigjej. Bashkëshortja e Feruzanit, Zamira Durda, e pranoi se djali i madh, Geraldi, atëkohë 14 vjeç, ishte punësuar në fabrikë, por nuk kishte as kontratë dhe punonte në kushte të rrezikshme. “Kam humbur 3 pjesëtarë të familjes. E dija që aty ishte me rrezik por askush nuk na dëgjonte. Nuk kisha ku të trokisja. Se mendoja që shteti mund të na vriste. Shfrytëzuan varfërinë, ishin të babëzitur”, tha ajo. Zamira Durda, që vuri në lëvizje SPAK për çështje u përplas me avokatin e Fatmir Mediut, kur ai e pyeti nëse e kishte personale me të pandehurin. “Nuk kam asgjë personale me Fatmir Mediun. E kam me shtetin, ne kishim besim tek shteti dhe tek ushtria nuk mendonim se shteti jonë do na vriste. Gërdeci është krim shtetëror dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ajo, teksa i bëri thirrje ish ministrit të mbrojtjes të përballej me të në sallën e gjyqit. Para se të linte sallën e gjyqit Zamira Durda nxori dy fletore dhe i tha gjykatës që t’i jepte shpjegime se përse janë bosh. “Ne I vuajtëm pasojat. Në pak sekonda mu shkatërrua gjithë jeta. Djali bëri detyrat e fundit te klasës së parë me 13 mars. Me 17 mungoi në shkollë. Më thoni pse im bir nuk jeton më. Ma zbardhni vendimin në këto fletore”, bëri thirrje ajo.
Mbrojtja e Fatmir Mediut kërkon ekspertizë të re për shkaqet e shpërthimit të Gërdecit
Në seancën e djeshme në Gjykatën e Posaçme ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec në mars të 2008-tës, avokatët e Mediut kanë dorëzuar një kërkesë më tre pika kryesore e sqaruar në 21 faqe. Kërkesa e tyre lidhej faktin që gjykata duhet të shprehet me vendim të ndërmjetëm se përse ka refuzuar thirrjen e 6 ekspertëve që kanë bërë aktin e ekspertimit dhe faktin që ka refuzuar kryerjen e një eksperimenti hetimor, si dhe të dëshmitarëve të mbrojtjes të cilët gjykata i ka cilësuar si persona politikë. Avokatët kanë sqaruar në kërkesë se përse sipas tyre janë të rëndësishme personalitetet e huaja për këtë çështje.
Lista e plotë e emrave të dëshmitarëve që do pyeten për Gërdecin përfshirë dhe 11 që dëshmuan dje
1. Feruzan Durdaj
2. Zamira Durdaj,
3. Afërdita Canga
4. Alketa Hazizaj,
5. Fejzi Shehu,
6. Rigon Durdaj,
7. Mimoza Kruja,
9. Hekuran Kaca
10. Shkëlqim Prini
11. Nikolin Hazizaj,
12. Mirela Hazizaj,
13. Drita Cani,
14. Ramazan Alla,
15. Uran Deliu,
16. Mirela Dvorani,
17. Ndue Nikolli
18. Adelina Cani,
19. Ilir Kranja,
20. Veiz Muço,
21. Murat Zguri,
22. Fejzi Shehu,
23. Caje Ciku,
24. Arta Prini (Zela),
25. Qemal Mema
26. Zigur Canaj,
27. Julian Pando,
28. Petrit Behari,
29. Zabit Cuku,
30. Sadik Sula,
31. Agim Vrana,
32. Shaban Brahushi,
33. Begator Mane,
34. Bujar (Abdullah)Nasufi,
36. David Clark Hoëell
37. William Merrit Hart,
38. Sidney Tison Macintyre,
39. Rodney Spenser Taylor,
40. Kol Dedgjonaj,
41. Ismet Drenova,
42. Ardian Mullahi,
43. Plarent Ruka,
44. Bardhyl Hoxha,
45. Sokrat Papadhima,
46. Viktor Përshqefa,
47. Anila Lala (Gjergji),
48. Liza Maksuti,
49. Alma Zili
50. Anjola Agolli,
51. Aldo Bumci,
52. Shkëlzen Berisha, i biri i Sali,
53. Ylli Pinari,
54. Luan Hoxha
55. Armand Tartari
56. Ndue Marku,
57. Jorgo Mino,
58. Fatbardh Kuçi,
59. Gëzim Oshafi,
60. Denis Hajdari,
61. Agim Babameto:
62. Shkëlzen Madani,
63. Rezart Tërshana,
64. Besnik Dauti,
65. Dashnor Çaushi,
66. Fari Toska,
67. Zenun Fero,
68. Hilmi Laçaj,
69. Sokol Ngjeçi,
70. Mihal Delijorgji,
71. Dritan Minxolli