E martë, 14 Korrik, 2026

“Shqipëria e shqiptarëve”/ Rama për protestat për Zvërnecin: Thirrje raciste! Shqetësohen për flamingot blogerët që nuk paguajnë taksa!

Share

“Injorantë, delirantë, sharlatanë, që shkojnë me demek për të mbrojtur mjedisin dhe flasin për Shqipërinë e shqiptarëve”. Nga Elbasani, ku mori pjesë në aktivitetin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste në këtë qark, Kryeministri Rama ishte shumë i ashpër me protestën para zyrës së tij, prej më shumë se një jave.

Thirrjen “Shqipëria e shqiptarëve” e konsideroi raciste dhe që nxin imazhin e vendit, sidomos atë emër që shqiptarët krijuan me shpëtimin e hebrenjve në luftën e dytë botërore.

“Shqipëria e shqiptarëve?! Shqipëria është e zotit dhe e mikut dhe këtë e thotë kanuni. Të kujton atë gjermania është e gjermanëve. Ajo është raciste, është verbëri, thikë pas shpinë për të gjithë ata që Shqipërisë i kanë dhënë medaljen e artë pas luftës së dytë botëroirë. Kush flet sot për këtë pështyn mbi varrin e tyre”, tha Rama.

Duke iu drejtuar ‘ambientalistëve’ që shqetësohen për Flamingot, kryeministri theksoi se para se PS të vinte në pushtet në 2013, këto shpendë vriteshin me çifte për qejf nga ata që Rama i quajti ‘horra’.

Rama nuk i kurseu akuzat edhe për blogerët e influencerët që hedhin akuza ndaj qeverisë për korrupsion, teksa tha se këta persona marrin para nga shqiptarët për të nxjerrë në fotografi pjesë të trupit të tyre dhe sipas kryeministrit, nuk i paguajnë asnjë taksë shtetit shqiptar. Duke hequr një paralelizëm, Rama tha se kur ishte i ri i tregonte pjesët intime të trupit të tij, pa marrë asnjë lek.

“Flamingot i priste pushka dhe horrat që kishin liri të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpendë e kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin e liqenet me tela korrenti. I vrisnin peshqit me tela korrenti. Nëse flamingot do të kishin gojë të flisnin, nuk diskutohet që… Edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht ngjyrën e PS. Ne nuk jemi tradhtarët. Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë”, tha mes të tjerash Rama.

Kërkesës për zgjedhje të parakohshme i ktheu këtë përgjigje.

“E patë Fevziun. Kërkon zgjedhje. Me shku në zgjedhje sot, duhen tre muaj me bë një parti. Me shku në zgjedhje ne marrim 100 mandate dhe do të presim të vijë nga një zog tjetër dhe të thotë duam zgjedhjet prapë. Zogu, zgjedhjet ne i kemi fituar për ta futur Shqipërinë në Bashkimin evropian”, vijoi ai.

Te tjera

Lajme te tjera