Një debat i fortë është ndezur mbëmjen e djeshme në studion e Top Storyt në Top Channel.
I ftuari, kryeministri Edi Rama, debatoi me moderatoren Grida Duma për dënimin me burg të Ervin Salianjit, të cilin ajo e konsideroi dënim për fjalën e lirë.
Duma pyeti kryeministrin nëse kishte shkelur standardin e tij për të mos komentuar vendimet e gjykatave në rastin e Salianjit, të cilin jo vetëm që e komentoi, por edhe e parashikoi.
“Në këndvështrimin tim rasti i Salianjit është historik pozitiv për drejtësinë, edhe kundër shpifjes. Ishte një vendim i formës së prerë. Nuk kam komentuar vendime që kanë qenë në proces. Një vendim të formës së prerë e kam komentuar dhe i qëndroj. Është dënuar me meritë të plotë”, tha Rama.
Debati:
Duma: Rasti i parë për fjalën e lirë, dhe je angazhuar ta komentosh para dhe mbrapa.
Rama: Ishte një dëshirë, që njëherë një shpifës të marrë një dënim në këtë vend, ku shpifja është mbret.
Duma: Ku shpifja jeton gjithë ditën dhe gjithë natën brenda shtëpisë tënde, brenda shtëpisë së shqiptarëve, politikës shqiptare, te ai që ti e quan bufi që mund të ketë thënë çdo gjë të mundshme për ty dhe ti me atë bëni gjëra të tjera dhe nuk ndodh asgjë.
Rama: Me bufin kam vajtur nëpër gjyqe, me bretkosat e bufit kam vajtur ne gjyqe dhe i kam fituar.
Duma: Standardin e ke shkelur..
Rama: Nuk kam shkelur asnjë standard. Politikanët duhet të shkojnë në burg kur shpifin.
Duma: Po ti s’ke thënë asnjëherë gjëra të pavërteta në Shqipëri?
Rama: Unë nuk kam shpifur asnjëherë.