Ish- kryeministri Sali Berisha duket se ka shtuar dozën e sulmeve ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. Më herët ai godiste vetëm prokurorët e çështjes, por tani duket se ka drejtuar shënjestrën te kreu i tyre.
Ashtu si përnatë, edhe dje Berisha doli në dritaren e shtëpisë, ku po qëndron në arrest shtëpie. Ai e cilësoi Dumanin si shërbëtor të qeverisë dhe që po e mbron Ramën nga afera e inceneratorëve.
“Miqtë e mi, afera e vjedhjes së shekullit është organizata kriminale më gjigante. Paratë tuaja, për të mbuluar këtë vjedhje të tmerrshme, u shpërndanë në fusha dhe institucione të tjera. U vodhën qindra e qindra milionë dhe iu shpërndanë medieve, Bolinove, Blushit dhe shumë hajdutëve të tjerë, të cilët këndonin në mediat e tyre këngën e vjedhjes së shekullit dhe mashtronin qytetarët. Edi Rama, me Erion Veliajn janë dy autorët kryesorë të vjedhjes së shekullit, inceneratorit të Tiranës.
Të dashur miq, përllogaritjet e sakta të specialistëve të pavarur, por edhe atyre të PD, të cilët unë do i përgëzoj me mirënjohje për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, kanë treguar se me djegësin e Tiranës, taksapaguesit e Tiranës, Krujës, Kavajës, Durrësit, do paguanin në 30 vite 930 milionë euro, pra rreth 1 miliard euro”, tha Berisha.
Ish-kryeministri akuzoi SPAK se ai po përdoret si mburojë e qeverisë dhe përbën një nga grupet më kriminale të vendit. Sipas tij, SPAK i ka ndarë hetimet dhe po paraqet Kokën dhe Ahmetajn para drejtësisë për të mbrojtur Edi Ramën.
“Por, kjo vjedhje gjigante, kjo organizatë kriminale gjigante, ka përdorur dhe po përdor si mburojë, organizatën tjetër kriminale, Skapin e partisë. I cili përbën sot një nga grupet më kriminale në historinë e këtij vendi. Çfarë bëri Damani i Skapit për të mbrojtur Edi Ramën? Ky kriminel e copëzoi hetimin në dhjetëra hetime e aferës së djegësve. Ky kriminel që është shndërruar në mburojë kryesore të vjedhjes së shekullit, i ndau copë-copë hetimet. Kërkon të paraqesë Kokën për Edi Ramën, kërkon të paraqesë Arben Ahmetajn për Edi Ramën. Bën gjithçka për të mbrojtur Edi Ramën.
Damani i Skapit përveç kësaj nuk merret me procedurën, por merret me Taulantin, merret me Simixhiun. Afera 1-miliardëshe sot ka falë Damanit vetëm dy drejtorë të bashkisë të prangosur”, shtoi ai.
Berisha shprehet se Dumani nuk merret me procedurat hetimore, por vërtitet në zyrë dhe merr peng gazetarët. Më tej Berisha shtoi se Dumani është shërbëtori besnik i Ramës.
“Po pse nuk merret Damani? Pse zgjodhi këtë rrugë Damani i Skapit? Zgjodhi këtë rrugë sepse po të merrej me procedurën, të gjitha fijet, të gjitha lidhjet të çojnë te Edi Rama, Agaçi, Erion Veliaj, ministrat.
Ja pra se si ky shërbëtor besnik i Edi Ramës shkelmon mbi interesat tuaja, shkelmon mbi taksat tuaja, ndërkohë që fëmijët tuaj ikin dhe marrin rrugët e dheut. Ndërkohë të tjerë kërkojnë ushqim te koshat e plehrave.
Damani bëhet mburojë për Edi Ramën, kryeautorin e vjedhjes së shekullit.
Miqtë e mi, flakët e inceneratorit po djegin shtetin e mafies. Edi Rama, duhet ta dish se nuk ka Daman që të bën derman.
I them Damanit, ti që vërtitesh në zyrë dhe merr peng gazetarë për të mbrojtur Edi Ramën, po kryen një krim monstruoz duke përjashtuar procedurën.
Arben Ahmetaj njoftohet dhe ikën, kurse gjobëvënësi që publikoi faturat, hyn dhe del si ndërlidhës midis dhe Damanit dhe Surrelit. Midis Surrelit dhe Damanit.
Miqtë e mi, djegësat janë afera e shekullit. Atë do e gjykoni vetëm ju, do e gjykojnë qytetarët shqiptarë.
Sepse nëse ne presim që Erion Veliajn ta gjykojë Arben Kraja, ish-kaleci i policisë sekrete të Enver Hoxhës, ne bëhemi qesharakë, ne mashtrojmë”, përfundoi Berisha.