Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, inspektoi zbatimin e masave të sigurisë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të sezonit turistik.
Gjatë inspektimit, Hita falënderoi efektivët e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët po patrullojnë së bashku me kolegët shqiptarë në Shëngjin, në kuadër të bashkëpunimit për garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror.
Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në mbarë vendin, duke theksuar se siguria rrugore mbetet një nga prioritetet kryesore gjatë sezonit turistik. Sipas tij, kontrollet janë intensifikuar dhe është shtuar përdorimi i pajisjeve inteligjente në akset rrugore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë bëri të ditur se vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues mjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me raste të konstatuara nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h.
“U bëj apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe të gjitha rregullat e qarkullimit, pasi shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale”, u shpreh Hita.
Gjatë vizitës u trajtua edhe problematika e ndotjes akustike në zonat turistike. Kreu i Policisë vlerësoi punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet dhe matjet e nivelit të zhurmës me pajisje të specializuara, ndërsa kërkoi intensifikimin e kontrolleve në të gjithë vendin për të garantuar qetësinë publike dhe respektimin e normave ligjore.
Autoritetet theksuan se masat e shtuara synojnë rritjen e sigurisë për qytetarët dhe pushuesit, si dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik në të gjitha zonat bregdetare.
