Ambasada e SHBA në Tiranë ditën e sotme ka shpërndarë një mesazh të fortë vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, duke inkurajuar zgjedhësit që të votojnë pa frikë.
‘Mos lejo të tjerët të flasin për ty. Vota jote është vetëm e jotja. Voto pa frikë.’, është mesazhi i SHBA për shqiptarët që do të shkojnë në kutitë e votimit këtë të diel.
Zgjedhjet 11 majit 2025 në Shqipëri janë një moment kyç mes forcimit të pushtetit të Edi Ramës apo rotacionit politik pas 12 viteve.
Për këto zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar një strategji të detajuar për hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor. Kjo strategji synon të monitorojë të gjithë territorin e vendit, përfshirë diasporën, dhe të bashkëpunojë me institucione të tjera si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Shtetit dhe organizata ndërkombëtare.
Pikat kryesore përfshijnë verifikimin në terren të indicieve për veprime penale, monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale, si dhe hetimin e keqpërdorimit të buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore .
Vetë kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kësaj strategjie, duke e cilësuar si një “lajthitje” dhe duke kërkuar që të mos survejohen partitë politike gjatë fushatës zgjedhore. Ai theksoi se një ndërhyrje e tillë do të ishte një shkelje e lirisë dhe të drejtave politike të qytetarëve. Nga ana tjetër, SPAK ka theksuar se qëllimi i saj është garantimi i të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të votuar në një proces të lirë dhe të ndershëm.
Për realizimin e kësaj strategjie, SPAK ka ngritur një platformë të posaçme për denoncime dhe ka angazhuar grupe hetimore në të 12 qarqet e vendit dhe 61 bashkitë.