Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së ( CENTCOM ), gjenerali Michael Kurilla, është takuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku i paraqiti atij opsionet ushtarake në lidhje me Iranin.
Vetë Kurilla mbështet bashkimin me sulmet izraelite dhe është shumë i informuar si për planet operacionale amerikane ashtu edhe për aftësitë izraelite, për shkak të rolit të tij si komandant i CENTCOM-it, të cilin e ka mbajtur që nga viti 2022, raporton “The Jerusalem Post”.
Nuk është rastësi që, sipas raportimeve, Izraeli donte ta kryente sulmin përpara se Kurilla të largohej nga pozicioni i tij. Kurilla do të udhëheqë një operacion të mundshëm të SHBA-së kundër Iranit. Nëse Trump urdhëron një sulm ndaj Iranit, Kurilla do të jetë ai që do të udhëheqë operacionin.
Një burim i njohur me detajet e takimit i tha gazetës Washington Post se Trump është i vëmendshëm ndaj asaj që Kurilla ka për të thënë dhe gjithashtu e respekton atë.
“Trump do të ishte i kënaqur nëse iranianët do të pranonin një marrëveshje që ai e përshkruan si ‘dorëzimi’. Meqenëse kjo nuk është në horizont, supozimi i punës është se ai do të urdhërojë një sulm“, thanë burime izraelite dhe amerikane për gazetën Washington Post.
Në një nga deklaratat e tij të fundit, Trump tha se e ka ide se çfarë të bëjë me këtë situatë por që vendimi do të merret në punë sekondash.
“Më pëlqen të marr një vendim përfundimtar një sekondë para se të vijë koha“, tha Trump duke lënë të hapur mundësin e sulmit të befasishëm ndaj Iranit.
Trump tha se përgatitet të mbajë një takim mbi konfliktin Izrael-Iran enë Dhomën Situatave, ku mund të vendosen hapat e tjerë.
Më herët ishte Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili tha se ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim që presidenti Donald Trump mund të marrë për Iranin.
“Ata duhet të kishin bërë një marrëveshje. Fjala e Presidentit Trump do të thotë diçka. Bota e kupton këtë. Dhe në Departamentin e Mbrojtjes, puna jonë është të qëndrojmë të gatshëm dhe të përgatitur me opsione, dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë”, tha Hegseth.
Me paraqitjen e opsioneve në tavolinën e tij, Trump tani do të marrë vendimin ndoshta vendimin më të rëndësishëm të presidencës së tij. Duke marrë parasysh deklaratën e fundit të Trumpit, një gjë është e sigurt, vendimi i tij do të mësohet njëjtë si “zgjedhja e Papës”, kur të shohim “tymin” që ngrihet mbi bazat e Iranit!