Rigels Seliman
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se i kanë treguar prangat ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa kërkojnë të avancohet dhe të çohet deri në fund goditja ndaj personazheve të korruptuara në Shqipëri. Pas 19 majit të vitit 2021, kur Sekretari Amerikan i Shtetin, Antony Blinken e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha person “non grata” në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive, si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politikë, përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve, kanë rrjedhur shumë ngjarje, madje shumë prej të cilave përtej çdo lloj parashikimi. Këtë të shtunë që shkoi, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka prodhuar një superngjarje që ka të bëjë me arrestime në kupolën e lartë të politikës 32-vjeçare. Me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Berisha, të cilin e akuzon për korrupsionin pasiv, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi ka përfunduar pas hekurave. Por SHBA nuk ndalet me kaq, pasi po i tregojnë hapur rrugën SPAK për të shkuar te dosjet e bujshme, veçanërisht te ato të korrupsionit. Sinjalet e forta janë dhënë nga Gabriel Escobar, njeriu më i rëndësishëm që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka sjellë për Ballkanin. Ky mesazh është bërë me dije ditën e djeshme nga kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla, e cila u prit në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Nikolla që ndodhte prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë zyrtare, zbulon se me Ndihmëssekretari Escobar diskutuan mbi ecurinë e reformave demokratizuese dhe integruese dhe mbështetjen e Kuvendit për avancimin e tyre. “Një diskutim mbresëlënës sot në Departamentin e Shtetit, me z. Gabriel Escobar, Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe ShBA sot janë më të mira se asnjëherë. Partneriteti strategjik është konkretizuar në bashkëpunimin e shkëlqyer në KS të OKB dhe do të jetë i tillë edhe në KDNj. ShBA dëshirojnë ta kenë Shqipërinë partnere dhe mbështesin aplikimin e saj në sa më shumë organizata ndërkombëtare. Diskutuam mbi ecurinë e reformave demokratizuese dhe integruese dhe mbështetjen e Kuvendit për avancimin e tyre. SHBA mbështesin fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE, vlerësojnë arritjet e deritanishme dhe inkurajojnë thellimin e luftës kundër korrupsionit”, shkroi Nikolla. Pra, diplomati inkurajon luftën kundër korrupsionit dhe çuarjen para drejtësisë të të korruptuarve, mesazh ky që indirekt shkon për Berishën, i cili është përfshirë në shumë afera.
Situata në Kosovë
Më tej në postimin e saj, kryeparlamentarja Nikolla thotë gjithashtu se SHBA, të cilën Escobar e cilësoi si vendi më prokosovar në botë, janë të vendosura për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. “Z. Escobar i cilësoi SHBA-të si vendi më prokosovar në botë dhe theksoi se ato janë të vendosura për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. SHBA kanë dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj. SHBA mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë, dhe po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën”, theksohet në njoftim.
Yuri Kim pret Nikollën në Departamentin e Shtetit
Ndërkohë po dje kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Zëvendësndihmës Sekretaren Kryesore të Shtetit, Yuri Kim, e cila më herët ka mbajtur postin e ambasadores së SHBA në Tiranë. Sipas njoftimit të Kuvendit Nikolla dhe Kim diskutuan “mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe avancimin e reformave, bashkëpunimin për mbrojtjen e sigurinë kibernetike; lidershipin e Shqipërisë në KS dhe kontributin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut; luftën kundër terrorizmit”. Gjithashtu pjesë e diskutimeve në këtë takim mes Nikollës dhe Kim kanë qenë zhvillimet në Veri të Kosovës dhe nevojën e ndërhyrjes se komunitetit euro-atlantik për depërshkallëzimin e situatës, duke e konsideruar dialogun Kosovë-Sërbi si e vetmja rrugë për garantimin e paqes. Ndërkaq u diskutua edhe lidershipi i Shqipërisë në Procesin e Berlinit dhe kontributin si një faktor për zhvillimin, integrimin dhe stabilitetin rajonal; kontributin e Kuvendit për garantimin e legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit të integrimit evropian, etj”.