Rigels Seliman
Kreun e PD, Sali Berisha duket se do ta ndjekë gjithë jetën damka e “non-gratës” në Britaninë e Madhe. Edhe pse u mundua fort të hiqte vendimin e Londrës, duket se nuk ja doli dot, pasi Apeli e rrëzoi kërkesën e tij dje. Ky vendim ka bërë bujë ditën e djeshme në politikën shqiptare, por jo vetëm. Edhe mediat ndërkombëtare i dhanë zë këtij lajmi. Si fillim lënia në fuqi e non-gratës britanike, nuk u prit mirë nga Sali Berisha i nga arresti shtëpiak e cilësoi procesin e ndjekur nga Komisioni Special i Apeleve dhe Emigracionit ne Londër si të pabazuar në prova dhe të ndikuar politikisht me qëllim goditjen e opozitës. “Rastet e paraqitura duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar, por që pranon të marrë refugjate sipas dëshirës së kërkueseve/lobuesve. Kjo provon qartë se, jo vetëm SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës, por edhe se vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundërshtarëve të mi politikë Rama, Basha, Veliaj”, tha Berisha. Kjo vetëm sepse ambasadori ka marrë të gatshme shprehjet e Lulzim Bashës. Theksoj se ky përjashtim i qëllimshëm i provave vjen: Pasi ambasadori ambasadorit Alastair King Smith i dështuan provat e paraqitura ndaj meje në Home Office, duke e detyruar të kalonte nga zyra në zyrë në Tiranë duke kërkuar prova tjera dhe duke u shprehur në konfidencë se në e përjashtuam Berishën, por na duhen prova se ai na ka paditur.” Në reagimi ne tij nga banesa, Sali Berisha rendit 5 akuzat e Britanisë së Madhe në adresë të tij duke i hedhur poshtë, një nga një si shpifje, të bazuara në deklarata te rreme, duke nisur nga skemat piramidale te 97 tek lidhjet me krimin e organizuar dhe ndikimin e tij për pasurimin e biznesmenit Damir Fazliç apo edhe pretendimet se vajza e tij Argita ka përfituar nga investimi 100 mln euro i biznesmenit Ansar.
Reagojnë mediat ndërkombëtare
Lajmi në disa nga mediat ndërkombëtare i referohet agjencisë “Reuter”, e cila shkruan se udhëheqësi i opozitës shqiptare Sali Berisha, ish-presidenti dhe kryeministri i vendit, humbi të hënën apelin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Britani për lidhje të dyshuara kriminale. “Vendimi i Britanisë për të ndaluar Berishën nga vendi erdhi një vit pasi ai u përjashtua nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar dhe abuzim me pushtetin. Berisha, 79 vjeç, përballet me akuza në Shqipëri se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte kryeministër midis viteve 2005 dhe 2009 për të favorizuar bashkëshortin e vajzës së tij në privatizimin e tokës shtetërore, akuza të cilat ai dhe vajza e tij e mohojnë. Ai është vendosur në arrest shtëpiak në dhjetor dhe prokurorët nuk kanë ngritur ende një kallëzim penal”, thekson “Reuters”. I njëjti lajm është pasqyruar në mediat e tjera. Për këtë vendim reagoi dhe Zëri Amerikës. Aktualisht zoti Berisha, ish president dhe ish kryeministër, është vendosur prej afro 6 muajsh në arrest shtëpiak si person në hetim për një çështje të dyshuar korrupsioni, ndonëse SPAK-u nuk ka ngritur padi ndaj tij. Mbretëria e Bashkuar vendosi të ndalonte hyrjen e zotit Berisha në vitin 2022, një vit pasi atij iu ndaluan udhëtimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përcaktuar atë për shkak të korrupsionit madhor të dyshuar, cenimit të demokracisë dhe abuzimit me pushtetin në vitet e qeverisjes së tij”, shkruan VOA në artikull. Edhe Radio Evropa Lirë (REL) i dha hapësirë këtij lajmi.
Reagojnë socialistët
Ndërkohë nga socialistët ka qenë Erion Braçe, i cili teksa komentoi vendimin për Berishën shkroi dje me nota ironie se ‘e nisi mbretëresha dhe e përfundoi mbreti’ dhe ashtu siç e deshi, vendimi non grata sipas tij u vulos me vendim gjykate. Braçe tha se drejtësia britanike ka shqyrtuar faktet për korrupsion, gjë sipas tij nuk guxohet nga drejtësia shqiptare. “E nisi mbretëresha e përfundoi mbreti. Salih Berisha non grata në Mbretërinë e Bashkuar. E donte me gjykatë, me gjykatë ja dhanë. Por përtej kësaj gjykata ka bërë dy gjëra. E para ka shqyrtuar fakte për korrupsionin, ndërhyrjen në drejtësi etj, gjë që këtu tek ne nuk kanë guxim ti shohin. E dyta-as ja ka marr kush parasysh imunitetin si ish President e ish Kryeministër! Pas kësaj nuk besoj qe te kenë rrjedhur deri aty sa te akuzojnë Edi Ramën se është pas gjykatës; Pas Mbretëreshës e pas Mbretit mundet! Pas gjykatës, vështirë shumë”, shkruan Braçe në reagimin e tij.