Kërkesa është bërë dje më 15 janar, ndërsa mbetet në vendimmarrjen e prokurorëve Arben Kraja e Enkeleida Millonai për të pranuar ose jo kërkesën, e cila është nisur me postë.
Ish Kryeminsitri Sali Berisha kërkon leje për të dalë nga banesa, teksa prej 30 Dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në arrest shtëpie.
Përmes avokatëve të tij, Berisha ka kërkuar që të marrë leje për të shkuar në Kuvend.
Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të SPAK, për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare të kuvendit.
Kërkesa është bërë dje më 15 janar, ndërsa mbetet në vendimmarrjen e prokurorëve Arben Kraja e Enkeleida Millonai për të pranuar ose jo kërkesën, e cila është nisur me postë.
Kërkesa është argumentuar me faktin se Sali Berisha prezumohet i pafajshëm, se ka të drejtë të marrë pjesë në seancat plenare, por edhe detyrim karshi zgjedhësve të tij.
Sipas avokatëve mbrojtës, nëse SPAK vlerëson se ka rrezik largimi, atëherë mund ta shoqërojë policia.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 30 Dhjetor 2023 vendosi të zëvendësojë masën e sigurimit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, kryetare e kësaj gjykate, për të cilën avokatët e zotit Berisha kishin kërkuar përjashtimin nga trupa gjykuese, duke pretenduar një konflikt interesi.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi një autorizim Kuvendit për të forcuar masën e sigurisë ndaj zotit Berisha, për shkak se ai për disa javë rresht refuzoi të përmbushte masën e parë detyrim paraqitje, duke e quajtur si antikushtetuese.
Gjykata e Posaçme urdhëroi deputetin Berisha të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.
Sipas procedurave, mbikëqyrja policore parashikon shërbime të rregullta pranë banesës së zotit Berisha për të ndjekur respektimin e kësaj mase nga ana e tij.
Avokatët e zotit Berisha thanë se ky vendim do të apelohet më tej brenda afatit ligjor, por kufizimet e komunikimit për një deputet janë, sipas tyre, të paligjshme, sepse duheshin bërë me një autorizim nga Kuvendi.
Ish kryeministri nën hetim Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim në lidhje me çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, gjatë të cilave SPAK-u dyshon se ai me akte nga më të ndryshmet ka ushtruar ndikim dhe presion, duke favorizuar dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, që u mbush shpejt me një grup pallatesh.