Rigels Seliman
Ish-kryeministri Sali Berisha do të vijojë të jetë “non grata”, çka do të thotë se do të ketë të ndaluar hyrjen në Britaninë e Madhe. Ish-kryeministri demokrat humbi dje apelin e tij në “Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit në Londër” në Londër kundër vendimit të Ministrisë e Punëve të Brendshme (“Home Office”) që e ndalonte të hynte në Britani për lidhjet e tij të dyshuara kriminale. Ai u shpall “non-grata” në korrik 2022 për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por Berisha e mohonte duke pretenduar se vendimi ndaj tij u mbështet në pohime të rreme dhe të paprovuara. Berisha apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në mars 2024, duke argumentuar se u ndalua nga Mbretëria e Bashkuar në bazë të pohimeve të rreme të paprovuara. Gjykata e Apelit është shprehur në favor të qëndrimit të Qeverisë britanike në këtë rast, duke hedhur poshtë të gjitha arsyet e ankimimit të Berishës. Më e rëndësishmja, Gjykata ka gjetur se rekomandimi për të përjashtuar kreun e PD, Sali Berisha është arritur siç duhet si “produkt i një vlerësimi holistik të provave në dispozicion”. “E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për t’i ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet” thuhet në vendim.
Lidhje te qarta me krimin, u përfshitë në korrupsion dhe me Damir Fazlliç
Më 21 korrik 2022, Sekretari i Shtetit për Departamentin e Brendshëm (“SSHD”) i shkroi Berishës për ta informuar se, më 19 korrik 2022, ishte marrë një vendim për përjashtimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se prania e tij në Mbretërinë e Bashkuar nuk ishte e favorshme për të mirën publike. Arsyet ishin si më poshtë: “…ju keni lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që kanë paraqitur një kërcënim për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe se jeni të gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të çuar përpara ambiciet tuaja politike, dhe… keni përdorur pozicionet tuaja të zgjedhura për t’u përfshirë në korrupsion dhe sjellje kriminale për të pasuruar veten dhe rrethin tuaj të ngushtë, në veçanti ish-këshilltarin tuaj zgjedhor Damir Fazlliç, të cilin më pas e mbrojtët kur u shfaqën provat e kriminalitetit. Tashmë dihet se vendimi për përjashtimin e Dr. Berishës ishte një nga të shumtët e marrë në lidhje me shtetasit shqiptarë si pjesë e Projektit Crime State Nexus (“CSNP”), i cili ka për qëllim prishjen e lidhjeve midis politikanëve dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë në veçanti”, thuhet në dokument.
Tre faktet që shqyrtoi Gjykata në Londër për Sali Berishën
Në seancën gjyqësore të Komisionit Special të Apeleve të Emigracionit në Londër Lisa Giovannetti KC, përfaqësuese e qeverisë angleze në këtë proces, renditi dhe arsyet pse duhej rrëzuar ankimi i Berishës. Ajo shqyrton 3 episode për korrupsionin, ndërhyrjen në drejtësi, nga korrupsioni në qeveri në prag të zgjedhjeve 2023, tek Damir Fazlic dhe toka në Porto Romani dhe përfitimet nga Fatjon Dautin, i cili në Britani akuzohet se drejtonte një rrjet kriminal në Angli dhe në mars 2021 Anglia i refuzoi rinovimin e lejes së qëndrimit. Një nivel i konsiderueshëm korrupsioni ka ndodhur gjatë gjithë kohës së Berishës si Kryeministër përfshi si më poshtë:
Pjesë e zbardhur nga vendimi i “Komisionit Special të Apeleve të Emigracionit”
Dëshmi për shpërdorim në shkallë të gjerë të pushtetit si Kryeministër
Raportime të brendshëm tregojnë abuzimin e pushtetit të Berishës në emërimin e zyrtarëve të korruptuar, ndërhyrjen në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për të mbrojtur vartësit nga hetimet dhe procedimet gjyqësore dhe përgjimin e paligjshëm të kundërshtarëve politikë.
Korrupsioni i përhapur nga Berisha dhe qeveria e tij, veçanërisht duke iu afruar zgjedhjeve të 2013-ës
Raportimi i brendshëm ofron një pamje të qëndrueshme dhe të qartë të korrupsionit të përhapur gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Berishës, por veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 2013-ës. Kjo u përdor për të çuar përpara interesat e tij, për të ndihmuar aleatët e tij dhe për të blerë mbështetje politike.
Kontrolli i ngushtë politik i Berishës dhe dominimi i qeverisë së tij
E rëndësishmja, raportimi i brendshëm tregon se korrupsioni i madh i përhapur i qeverisë së tij nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë dhe autorizimin e Berishës duke pasur parasysh kontrollin e tij personal mbi qeverinë e tij. Shqyrtohen si jo relevante përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin, sepse edhe nëse do të ishte e vërtetë që të tjerë (si pasardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha) ishin përfshirë në korrupsion, kjo nuk do të thoshte se Dr. Berisha nuk ishte përfshirë (shih para. 35. të Aneksit B). Në 2008 raporti i DASH siguroi prova për të arritur në konkluzionin se Berisha mbrojti Damir Fazlic, nga hetimi. Burim i HAPUR raporton për Fazlliçin, i cili ishte mik dhe këshilltar zgjedhor i Dr Berishës dhe klient ligjor i vajzës së tij dhe ishte hetuar në Shqipëri për pastrim parash. Në faqen e internetit Balkan Insight kishte raportime se hetimi ishte subjekt i “presionit të fortë politik mbi zyrën e prokurorisë nga qeveria dhe [Dr Berisha]” dhe raportime të brendshme për të njëjtin efekt. Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i vitit 2008 arriti të njëjtin përfundim. Dr. Berisha në deklaratën e tij të parë dhe të dytë si dëshmitar nuk e trajtoi pretendimin se ai kishte ushtruar presion ndaj autoriteteve të ndjekjes, por pohoi se hetimi ndaj Fazlliçit nuk ka vërtetuar ndonjë keqbërje nga ai. Ekipi i Projektit Crime State Nexus (CSNP-së) nuk pranoi që Fazlliç të ishte shfajësuar, duke pasur parasysh burimin e hapur që raportonte se çështja u pushua sepse prokurorët nuk ishin në gjendje të aksesonin dokumentet kryesore, konkluzionet e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për vështirësinë e ndjekjes së çështjeve penale kundër zyrtarëve, politikanëve, gjyqtarëve dhe personat me interesa të fuqishme biznesi dhe me burim të hapur raportuan presionin që u aplikua nga qeveria dhe Berisha në veçanti.
Pasurimi i familjarëve dhe përfshirja në korrupsion
Blerja nga Fazlic e tokës në kufi me parkun energjetik të Porto Romanos, ndodhi pasi ai kishte njohuri të brendshme. Raportimi me burim të hapur tregon se: vajza e Dr. Berishës, Argita Malltezi, u largua nga puna në OKB disa muaj pasi Dr Berisha u bë Kryeministër në 2005, për të hapur një zyrë ligjore në Tiranë; me ndihmën e bashkëshortit të saj. Znj. Malltezi punësoi një ndërmjetës për të blerë tokë nga fshatarët në kufi të një parku energjetik; Bashkëshorti i zonjës Malltezi pranoi se kishte informacion në lidhje me zhvillimin e asaj zone; Zoti dhe zonja Malltezi morën një përfitim financiar kur toka iu shit Fazlliçit; dhe toka u rrit më pas në vlerë tetëfish kur qeveria zgjeroi parkun energjetik aty pranë. Ekipi i CSNP shqyrtoi me kujdes deklaratat e Dr. Berishës. Ata hodhën poshtë shpjegimin e tij (se do të ishte “e palogjikshme dhe joproporcionale” zgjerimi i një parku energjetik me qëllim të sigurimit të një përfitimi për Fazlliçin). Ishte e qartë se kishte një synim për të rritur madhësinë e parkut energjetik dhe për t’u përfshirë në korrupsion. Dëshmia e znj. Malltezi se ajo nuk kishte përfituar nuk ishte bindëse, duke qenë se: ishte kundërshtuar nga raportimi me burim të hapur; kishte një dokument me nënshkrimin e saj; u realizuan fitime të mëdha nga blerja e tokës, e cila më pas do të rritej në vlerë.
Raporti i DASH
Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i vitit 2008 dha një bazë të duhur për përfundimin se Dr. Berisha e kishte mbrojtur Fazlliçin nga ndjekja penale. Berisha përfitoi nga lidhjet me kriminelët dhe aktivitetet kriminale: Ka raportime të brendshme që tregojnë lidhjet e Dr. Berishës me kriminalitetin dhe krimin e organizuar dhe gatishmërinë e tij për të inkurajuar mbështetësit politikë që të përfshihen në dhunë. Ekziston edhe një raportim me burim të hapur nga dhjetori 2021, i cili tregon pamjet video të kriminelit të njohur shqiptar Fation Dauti duke shkelmuar dhunshëm në një derë të selisë së Partisë Demokratike në emër të Dr Berishës. Dauti është përjashtuar nga Britania e Madhe për shkak se vlerësohet se ka pasur rol drejtues në një grup të krimit të organizuar. SIAC ka zbuluar se Dauti është një anëtar me ndikim i një grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që importon dhe shpërndan drogë të klasit A në Mbretërinë e Bashkuar dhe se ai është përfshirë në dhunë ekstreme. Ekipi i CSNP mori parasysh deklaratën e Dr. Berishës se ai nuk e njihte Dautin, por e hodhi poshtë atë në bazë të raportimit të brendshëm dhe vlerësimit të tyre të videos. Parashtresa ministrore pranoi se afërsia e Dautit me Dr Berishën në video nuk vërtetonte domosdoshmërisht një lidhje personale mes të dyve, edhe nëse sugjeronte mundësinë e një të tillë. Megjithatë, mbeti vlerësimi se Dr. Berisha kishte qenë i lidhur me kriminelë dhe grupe të krimit të organizuar dhe se ai kishte përfituar nga këto lidhje. Se Dr Berisha ishte i gatshëm të përdorte kriminelë për të mirat që do të përfitonte nga ata në video, që tregoi se ai ishte gati të përfitonte nga dhuna e Dautit.