Kryeministri Edi Rama nuk dorëhiqet nga ideja që KFOR të kontrollojë veriun e Kosovës teksa deklaron se Albin Kurti gaboi.
Gjatë interpelancës, Rama shprehu kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke nënvizuar se qëndrimi që po mban në lidhje me dialogun me Serbinë është për konsum të brendshëm politik ndërsa Shqipëria është zë i fortë në Bruksel dhe SHBA për Kosovën.
Madje Rama shkoi më tej duke thënë se Kurti po ‘sulmon’ qeverinë e Shqipërisë pikërisht për politikën e tij elektorale.
“Të mos harrojë askush kur këtë akt e bën Shqipëria, zëri i të cilit është më i dëgjuar dhe më i respektuar kur flitet për rajonin e sidomos për marrëdhëniet Kosovë – Serbi në Bruksel apo në Washington kjo që bëmë ishte më shumë sesa një deklarim i papritur i Shqipërisë. Ishte një manifestim pakënaqësie e mosdakordësie konstruktive për të dhënë një mesazh të qartë mbi peshën e rëndë të asaj ngjarjeje në rrugën e përpjekjeve të përbashkëta në normalizim përmes dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.
Nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral siç janë prej kohësëh tani më dhe e them me keqardhje një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit përfshirë dhe qeverisë sonë përmes zërave të dytë dhe të tretë, por mbajtëm një qëndrim parimor e politik në funksion të nxitjes së Bruksel për të siguruar një përçapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare jo vetëm me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes por dhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë dhe lidhur me çfarë vjen çfarë mund të vijë dhe nesër’.
Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së si dhe vetëviktimimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë.
Sa herë aktakuza ndaj meje rikthehen akuzat si vëllau i Vuçiçit kthehen edhe ato për Evropën, duke e cilësuar si kuçkë e vjetër që na ka lënë në baltë gjithnjë, si ata enveristët. Këtyre thirrjesh u shtuan edhe piskamat për sovranitetin e shtuat të atyre pasi unë thashë që NATO të marrë në kontroll kufirin“, tha Rama.
Rama foli gjithashtu për marrëdhëniet personale me kryeministrin e Kosovës, teksa deklaroi se Kurtin e ka më shumë mik se Ramush Haradinajn. Ai tha se me Albinin nuk ka pasur kurrë asnjë problem personal, por ka divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët ndërkombëtar.
Rama u shpreh se vetëm në sajë të Haradinajt dhe komandantëve të tjerë të UÇK që kanë bërë luftën e vërtetë me Serbinë fashiste, ata që e etiketojnë sot tradhtar të kombit kanë këtë liri që po gëzojë duke shpifur në rrjetet sociale, e cila është siç tha edhe e tepërt.
“Albin Kurtin e kam mik më shumë se Ramush Haradinajn. Me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal, por me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët ndërkombëtar. Fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk më pengon të shpreh këtu neverinë më të madhe për një video të porositur dhe shpërndarë kur Ramushi shfaqej duke trokitur gotat me përfaqësuesit e listës serbe. Do të ishte e neveritshme që të sulmohej për diçka të tillë, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe kush nuk ka gur për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen. Turpi i mbuloftë ata që e harrojnë me lehtësi se pa qindra dhe mijëra Ramushët e UÇK-së nuk do ta gëzonin lirinë”, u shpreh ai.