Në korridoret e SPAK fitet për një tjetër megaoperacion. Janë qindra persona në shënjestër…
Teksa SPAK për të parën herë ka ndërmarrë një mega operacion kundër krimit të organizuar, një aktivitet mjaft i rëndësishëm do të mbahet në vend, në kuadër të luftës kundër bosëve të krimit.
Nga nesër, në Tiranë do të zhvillohet nga Interpol takimi i 51-të i Konferencës Rajonale Europiane, e cila do të zgjasë për 3 ditë. Krerët më të lartë të luftës kundër krimit nga gjithë shtetet anëtare do të jenë në kryeqytetin shqiptar, për të biseduar pikërisht mbi rritjen e goditjeve ndaj bandave.
“Përgatitjet përfundimtare janë duke u zhvilluar në Tiranë, përpara Konferencës së 51-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it. Zyrtarë të lartë të policisë nga më shumë se 50 vende do të shqyrtojnë kërcënimet kryesore të krimit në rajon, duke përfshirë trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe krimin kibernetik”, njofton Interpol.
Reagon Balla
Konferenca është aktiviteti më i rëndësishëm i INTERPOL-it në Europë, ku drejtues të lartë nga vendet anëtare, do të kenë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat dhe të marrin vendime për përparimin e masave të agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
“Gati për Tiranën nesër, kryeqytetin e Europës, ku do të mbahet Konferenca Europiane e Interpol, takimi më i rëndësishëm i kësaj organizate në nivelin e kontinentit tonë. Drejtuesit e lartë të policive dhe agjencive ligjzbatuese nga vendet anëtare, do të marrin vendime për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”, shkruan ministri Balla në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet nga përgatitjet e fundit në eventin që mbahet për 3 ditë, në Pallatin e Kongreseve.
Ishte Komisioni i Politikës së Jashtme të kësaj organizate që gjatë muajit maj vendosi që një konferencë e tillë e rëndësishme të mbahet në Shqipëri për herë të parë, ndërkohë që nga dita e sotme në Tiranë ka mbërritur Sekretari i Përgjithshëm i Interpol por edhe gjithë delegacionet nga vende të ndryshme.
Konferenca vjen në një kohë kur Shqipëri po vuan mungesën e arrestimit të disa prej emrave më të kërkuar, pasi ata kanë dalë jashtë vendit. Pjesa më e madhe janë në Dubai dhe kjo ka bërë që t’i shpëtojë ekstradimit. Ndërkohë Interpol ka asistuar në kapjen e shumë të tjerëve në shtet e BE.
Arrestimi i më i fundit është i “Leksit të Druve”. Ai ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” ndërmarrë vitin e kaluar, korrik 2023, dhe ndaj tij ishte marrë masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje.
Pra pas kësaj konference në Tiranë, duket se do të rritet goditja ndaj bosëve të krimit. Në korridoret e SPAK fitet për një tjetër mega operacion. Janë mbi 150 persona në shënjestër, përfshirë policë, gjyqtarë dhe prokurorë.