Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i partisë Socialiste e konsideroi dje anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian thelbin e misionit të tij në krye të qeverisë shqiptare.
Në një takim në Nju-Jork me komunitetin shqiptar në Amerikë, Rama kërkoi votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme dhe për ta ngritur bashkë me ta flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e BE-së në Bruksel.
“Për ta ngritur flamurin shqiptar krah për krah të gjithë flamujve të tjerë të familjes së madhe europiane, së cilës i kemi përkitur gjithmonë historikisht, por historia gjithmonë na ka penguar t’i bashkohemi. Sot është dita për ta bërë së bashku historinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ky është premtimi i premtimeve, ky është thelbi i misionit të tij në krye të qeverisë shqiptare.
“Ky është kryeangazhimi i Partisë Socialiste që në krye të herës dhe zotimi ynë i pandryshueshëm i të treja mandateve dhe vetë kuptimi i mandatit tonë të 4-t për Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se rruga e Shqipërisë gjatë periudhës që ai ka pasur privilegjin të udhëheqë këtë përpjekje të përbashkët drejt bashkimit me Europën, i ngjan shumë rrugës së çdo emigranti shqiptar në përjekjen e tij për t’u pranuar dhe integruar me sukses në Europë dhe në Amerikë.
“Kur unë mora detyrën 11 vjet më parë, Shqipëria shihej me dyshime dhe plot paragjykime nga bota, ashtu siç shiheshin shqiptarët kur kanë shkelur për herë të parë jashtë Shqipërisë”, tha Rama.