Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë në Landin e Bavarisë, Gjermani, me ftesë të Kryeministrit bavarez Markus Söder, si pjesëmarrës në takimin tradicional të fillim vitit të Unionit Social-Kristian (CSU), për të adresuar lidershipin e Unionit, mbi sfidat europiane, Shqipërinë si një shembull suksesi në rajonin tonë dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, e me Bavarinë posaçërisht, përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, tregtar e kulturor. Pas takimit me grupin parlamentar të CSU, Kryeministri Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin bavarez Markus Söder. Fillimisht ai u ndal te lidhjet e forta që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Landit të Bavarisë. “Ndihem më i përulur dhe më i nderuar se kurrë që jam ftuar si mik nderi nga kolegu im mjaft i çmuar e miku im i dashur Markus Söder dhe nga grupi i Unionit Social-Kristian (CSU) për të pasur këtë moment të jashtëzakonshëm, jo vetëm shkëmbimesh, por edhe të një ndjesie europiane. Për ata që nuk e dinë, 40 vjet më parë Franc Josef Strauss vizitoi Shqipërinë tërësisht të izoluar. Kemi mijëra shqiptarë që jetojnë këtu dhe ata nuk mund të jenë më mirënjohës dhe më të përmbushur sesa kaq, duke qenë pjesë e ekonomisë dhe e përpjekjeve të komunitetit bavarez. Thënë gjithë kjo, gjithashtu pata nderin që të kisha mundësinë të ndaja disa mendime edhe në praninë e një kolegu tjetër mjaft të shquar dhe miku të dashur, më duhet të them sot Arnold Beber, i cili përfaqëson Europën në sytë tanë prej kaq shumë vitesh”, deklaroi ai. Ndalur tek fenomeni i emigracionit të paligjshëm, Rama theksoi se BE-ja duhet të veprojë si një trupë e vetme, në përgjigje të kësaj sfide, Kryeministri u ndal po ashtu edhe te mënyra sesi Shqipëria e sheh dhe si mendon të kontribuojë, kundër migracionit të paligjshëm përmes marrëveshjes që ka arritur me Italinë. “Sigurisht kemi folur edhe për mënyrën sesi Shqipëria e sheh dhe si Shqipëria mendon të kontribuojë, kundër migracionit të paligjshëm përmes marrëveshjes që kemi arritur me Italinë. Më duhet të them se Shqipëria nuk është zgjidhja pasi jemi shumë të vegjël dhe nuk kemi mjetet për të qenë zgjidhja, pikë së pari, dhe së dyti, sepse zgjidhja nuk është madje as në duart e një vendi të madh si Gjermania, por Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj për të kontribuar në këtë zgjidhje, ashtu siç çdo vend europian duhet të bëjë pjesën e vet për të kontribuar në këtë zgjidhje pasi kjo sfidë kërkon një përgjigje mbarë evropiane”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Rama konferencë me homologun bavarez: Emigracioni i paligjshëm kërkon reagim të përbashkët nga familja e BE, Shqipëria jo zgjidhja, por mund të kontribuojë
Share
Te tjera