E martë, 14 Korrik, 2026

Protesta kombëtare kthehet në ‘paradë’ simbolesh! Tortë betoni për Ramën, arkivol ‘politik’ e uniformë e burgu! Diaspora kërkon zgjedhje të lira, ‘Kryendrituri’: Kuvendi do dalë nga sheshi

Share

Dita e 35-të e protestës, ishte paralajmëruar si tubimi vendimtar kundër kryeministrit Edi Rama. Por, protesta kombëtare me pjesëmarrjen e diasporës u karakterizua me mesazhe simbolike dhe të njëjtin refren “Rama jepe dorëheqjen”. Në bulevard u panë flamuj të shumtë kuqezi, por edhe flamuj amerikanë, në një ditë që përkonte me 4 korrikun, ditën e Pavarësisë së Amerikës. Një urim në emër të grupit koordinator u lexua nga Dritan Goxhaj, ndonëse njihet për qëndrimet e tij antiamerikane lidhur me Iranin.

“Në këtë ditë, kujtojmë Deklaratën e Pavarësië. Ajo ishte shpallja e një parimi që vazhdon të frymëzojë popuj anembanë botës, se qeveritë e marrin legjitimitetin nga të qeverisurit. Deklarata e Pavarësisë na kujton se pushteti nuk është pronë e një qeverie, por besim i dhënë nga qytetarët”, tha ai. 

Nga podiumi, emigrantët shqiptarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira. Por ndryshe nga organizatorët e protestës që me planet e tyre utopike kërkojnë zhbërjen e sistemit, disapora këmbënguli në procese demokratike. 

“Shqiptarët e diasporës dhe ata brenda kufirit të kanë vënë një kusht dorëhiqu. Hapi rrugë procesit demokratike, ti japim fund tranzicionit. Kërkesat tona ti përsëris, dorëheqje pa kushte dhe ti hapësh rrugë qeverisë tranzitore apolitike dhe procese demokratike të mirëfillta. Kjo qeveri teknike duhet të mandatohet që të garantojë ndryshim të kodit elektoral, të hyjmë në zgjedhje me lista të hapura. Të kemi zgjedhje që te numërohen ne mënyrë elektronikë si vëllezërit tanë në Kosovë që mos të kemi deformim te rezultatit”, tha një protestuesi në emër të diasporës. 

Tubimi u zhvillua një ditë pasi një grup pune që do të organizojë Kuvendin Kombëtar të protestës u mblodh për herë të parë, mes polemikave të organizatorëve të tjerë, se pse kjo zgjedhje u bë në një proces të fshehtë. Edviol Kulluri, i cili është vetëshpallur edhe “Kryendrituri” tha se çdo gjë do të dalë nga sheshi dhe hodhi poshtë akuzat se po ngre struktura paralele.

“Ky establishment më ka akuzuar se po ngre struktura paralele për Kuvendin Kombëtar. Çdo gjë do të dalë nga sheshi! Vullneti i protestës para çdo gjëje! Rama në burg, Berisha në burg!”, tha Edviol Kulluri.

Vëmendjen më të madhe në protestë e morën simbolikat e zgjedhura për ditëlindjen e kryeministrit. Protestuesit sollën fillimisht një tortë prej betoni me mbishkrimin “edhe 100 vite në burg”, të dekoruar me flamingo, i kthyer në simbol të protestës e nisur fillimisht kundër investimit në Zvërnec.

“Ramën e kemi rrëzuar me kreativitetin tonë”, tha një protestues.

Më pas në shesh u shfaq edhe një tortë me mbishkrimin “Rama TQR” dhe “Te Quiero Rama”, ku protestuesit frynë qiririn me numrin 0 duke kënduar “Rama jepe dorëheqjen”. Protestuesit sollën edhe një arkivol ku shkruhej “Arkivoli politik i Ramës”.

Ndërsa studentët rrëzuan dhe shkelmuan një statujë të improvizuar të kryeministrit me mbishkrimin “Diktatori i fundit”, duke e krahasuar me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.

Herë pas here sheshi jehonte me thirrjet “Shumë burgime për ty, shumë burgime për Ramën, shumë burgime për ty”. Një protestues tjetër ishte kujdesur të ishte më kreativ. Ai i kishte sjellë Ramës një uniformë burgu, një brisk e sapun, të cilin i sugjeroi ta ndajë me Erion Veliajn.

“Ky është kostum burgu nga më të mirët që ka Europa. Në behar të mban freskët, në dimër shumë ngrohtë. Mos u mërzit se kemi menduar për shumë gjëra të tjera. Një sapun, por do të duhet ta ndash bashkë me Erion Veliajn. Të kam sjellë edhe një qese me miell, sepse e di që do të marrë malli të gatuash ndonjë byrek. E ke miell bo direkt nga fshatrat e Korçës. I kam sjellë një brisk”, tha ai.

Mes pankartat “Lironi Çunat”, nga podiumi u përsërit sërish kërkesa për lirimin e protestuesve të arrestuar pas përplasjeve te Kuvendi. 21 protestues do të njihen nesër me masat e sigurisë, ndërsa protestuesit do të mblidhien në orën 09:00 para Gjykatës së Tiranës. 

“Babai dhe vëllai im u dhunuan gjatë protestës dhe sot ndodhen ne komisariatin numër 3. Nuk jam këtu për të përhapur urrejtje, askush nuk duhet të dhunohet për shkak të bindjeve apo se merr pjesë në një protestë. Ju bëj thirrje të mos heshtim përballë padrejtësisë. Lironi çumat, lironi çunat”, tha Arbria Bardhi.

“Jam bashkuar me ju në protestë për bashkëshortin tim Altin Hila që të lirohet sa më shpejt. E meriton dikush tjetër, jo bijtë e nënave që kanë halle dhe dalin në protestë për të drejtat e tyre! Nuk e meritojnë çunat tanë të rrinë në burg, e meritoni ju!”, tha Hila.

Pas gati dy orësh fjalime, organizatori Edison Lika tha se në shtator do jenë më të shumtë në numër, por pa sqaruar nëse gjatë verës protestat do të ndalen për tu kthyer sërish në shtator.

Marshimi këtë radhë nuk u mor përsipër për tu drejtuar nga ndonjë prej organizatorëve, por ju la diasporës e qytetarëve të bëjnë zgjedhje të lirë duke shkuar te komisariati numër 3 ku mbahen protestuesit. 

Te tjera

Lajme te tjera