Zef Mazi, ish-kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, e konsideron si një iluzion, premtimin e bërë nga Edi Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në 2030.
Rama po e bazon fushatën për mandatin e 4-t qeveritar pikërisht në atë se vetëm PS mund të vijojë procesin e integrimit pa kthime pas, ndërsa ka deklaruar se vota e 11 majit duhet të jetë një konfirmim për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve.
Duke synuar një mandat të katërt radhazi të paprecedentë në qeveri në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Rama ka zbuluar një program të titulluar “Shqipëria 2030”, duke u zotuar të përfundojë negociatat e pranimit në BE deri në vitin 2027 dhe të sigurojë anëtarësimin deri në fund të dekadës.
Qeveria e Ramës ka reklamuar hapjen e 16 nga 35 kapitujve negociues që nga viti 2022, por ish-diplomati Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në në vitet 2020-2022, tha se hapja e kapitujve “nuk është e njëjta gjë” me mbylljen e tyre. Shqipëria deri më tani nuk ka mbyllur asnjë.
“Mali i Zi kishte hapur 32 kapituj në vitin 2012; 13 vjet më vonë, në vitin 2025, Mali i Zi ka qenë në gjendje të mbyllë vetëm pesë kapituj, nëse nuk gabohem”, tha Zef në një intervistë për BIRN.
Ai thekson se nuk mund ta kuptonte se nga vjen entuziazmi retorik i mbylljes së negociatave në vitin 2027 ose i dhënies së pasaportave të BE-së.
“Sado që do të doja t’i shihja gjërat në një dritë tjetër, kjo më duket më shumë iluzione sesa realiste”, shprehet Mazi.