Rigels Seliman
Në politikën shqiptare paralajmërohen zhvillime të bujshme. Si fillim surpriza të tjera pritet të ndodhin në Partinë Socialiste. Është gazetari dhe analisti i njohur Roland Qafoku, i cili në një editorial ka nxjerrë emrat që po luftojnë në prapaskenë për t’i zënë vendin Edi Ramës në krye të PS. Po ashtu dhe moderatori Blendi Fevziu ka bërë një deklaratë të bujshme për planin e Sali Berishës për t’i shpëtuar prangave të SPAK.
Çfarë po ndodh në PS?
Sipas shkrimit të Qafokut: “në mes të krizës më të madhe që ka përfshirë këtë parti, kryeministri dhe kryetari i PS-së Edi Rama bëri lëvizjen befasuese për të tërhequr edhe njëherë vëmendjen dhe duke risjellë diskutimet se si do të funksionojë në të ardhmen kjo parti. Përfshiu në kabinet Blendi Gonxhen, një bashkëpunëtor të vjetër të tij dhe menjëherë nisën diskutimet, hamendjet, llogaritë, parashikimet, pse jo edhe planifikimet dhe projektimet për t’iu përgjigjur pyetjes së madhe: Kush do të jetë pasardhës, së pari i Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës në vitin 2027 pas mbarimit të 3 mandateve të tij? Por edhe më e rëndësishme, kush do të jetë pasardhësi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste kur ai të largohet me dëshirë nga kjo parti? Për hir të së vërtetës Edi Ramën nuk e kërcënon kush teksa vijon detyrën. Atë nuk e garon kush dhe askush nuk e ka as në ëndërr ta konkurrojë apo ta dëmtojë teksa ai noton në ujërat e qetë si mandatin e tretë qeverisës, por edhe në drejtimin e PS. Ato pak pengesa ai i kaloi në opozitë dhe në mandatin e parë si kryeministër. Por tashmë që ai është në vitin e 11 si kryeministër dhe në vitin e 19-të si kryetar i PS-së çështja është se kush do të jetë ai që do ta pasojë kur të largohet vetë nga detyra e kryeministrit, drejtimi i PS dhe nga politika. Dhe gjithnjë bëhet fjalë për një të ardhme jo të afërt. Pra, në një llogari hipotetike, kur ai të përfundojë mandatin e katërt si kryeministër, mund të jetë momenti që është tejngopur me pushtetin dhe të thotë mjaft. “Përgatitjet” për këtë të ardhme sigurisht që kanë filluar. Të paktën deri tani, katër janë figurat garojnë mes tyre për të qenë numrin dy në PS, por që nesër të jenë numri 1: Erion Veliaj, Taulant Balla, Belinda Balluku dhe së fundi Blendi Gonxhe.”.
Berisha kërkon të rikthejë skenarin e ’97
Nga ana tjetër gazetari Blendi Fevziu duke komentuar situatën në të cilën ndodhet opozita, deklaroi dje në një media se PD-ja ka mbetur në nivelin e zhvillimeve të viteve 90’. Fevziu tha se Berisha i mbledh mbështetësit poshtë dritares, me shpresën se mund të ketë një skenar si në 97′, kur mbeti me pak mbështetës, por arriti të rikthehet në pushtet. Ai tha se Berisha nuk ka ndonjë alternativë tjetër. Sipas tij, skenari për të shpëtuar nga prangat e SPAK nuk do të ndodhë, pasi ai nuk ka as njerëz rreth e rrotull dhe e bën partinë të vështirë për të fituar zgjedhjet. “Berisha po kërkon të rikthejë skenarin e 97’, kur kishte një grup të vogël njerëzish dhe erdhi sërish në pushtet. Zgjidhja do të ishte të hapte garë të plotë brenda PD për një drejtues të ri brenda PD-së. Kam thënë që Berisha të mbetej kryetar nderi, sepse ajo parti në bazën e saj mbështet Berishën, por ka mbetur në nivelin e zhvillimeve të viteve 90’. Nuk ka as njerëz rreth e rrotull, e bën partinë të vështirë për të fituar zgjedhjet. Ajo parti kishte nevojë për lider të ri, jo më shumë se 40 vjeç, që të ishte urë mes brezit të ri dhe të vjetër. Kjo ideja e anti-komunizmit nuk të jep ndonjë gjë sot. A ardhmja ka emergjenca të tjera”, deklaroi Fevziu.
Reagon Berisha
Ndërkohë edhe përgjatë mbrëmjes së djeshme mbështetës dhe simpatizantë janë mbledhur sërish poshtë banesës së Sali Berishës, ku po qëndron prej 30 Dhjetorit, pas vendimit të GJKKO-së e cila dha masën “arrest shtëpie”. Gjatë fjalës së tij drejtuar mbështetësve Berisha theksoi se sot shqiptarët janë në luftë përballë regjimit. Ai ju bëri thirrje intelektualëve, fermerëve dhe gjithë shqiptarëve që të ngrihen në protestë kundër regjimit që është instaluar në Shqipëri. “Ju bëj një thirrje miqësore mbarë intelektualëve shqiptarë: ngrihuni sot më shumë se kurrë. Për intelektualin i cili ka për busull të vërtetën, kjo është ora e të vërtetës. Kjo është ora e të vërtetës supreme, në të cilën beteja është për shpëtimin e atyre të vërtetave që janë më të shtrenjta për çdo njeri, për shpëtimin e atyre të vërtetave që janë më të shtrenjtat për çdo shoqëri, për çdo komb, për çdo vend. Dhe këto të vërteta janë të vërtetat e lirisë, e dinjitetit njerëzor, të vërtetat e shtetit ligjor, të vërtetat e një rendi demokratik, e pluralizmit politik. Intelektualë dhe intelektuale, sot kudo që jeni, në Shqipëri dhe larg saj, vendi juaj u thërret, kombi juaj u thërret si luftëtarë të vërtetave, të dilni në betejë pa kthim, sepse kjo betejë është vendimtarë për shpëtimin e Shqipërisë, për shpëtimin e kombit shqiptar, që në fakt ndodhet sot në ditën më të vështirë nga pushtuesi më i egër, më shfarosës që ai ka njohur në histori, Edi Rama dhe narkoshteti i tij. Një thirrje kam për të gjithë bizneset e vendit. Ju që jetoni çdo ditë në terrorin e taksidarëve patronazhistë, e gjobave dhe ryshfeteve të tyre, ngrihuni t’i japim fund këtij tmerri pa fund për ju dhe të dalim në rrugën e ligjit, të drejtësisë, të barazisë. Në emër tuaj, u bëj një thirrje vëllazërore mbarë fermerëve të Shqipërisë, ju të cilët jeni fermerët më të diskriminuar në Europë, jeni qytetarët më të përçmuar të këtij vendi, jeni familjet më të ndëshkuara të Shqipërisë, ngrihuni të përmbysim këtë regjim, armik i egër i qenies suaj. Të përmbysim këtë regjim që po shfaros, po shkatërron qindra e mijëra ferma çdo ditë”, deklaroi Berisha.