Rigels Seliman
Teksa politika shqiptare ndodhet në një moment kritik për politikën shqiptare, deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka ngritur një alarm të rëndësishëm mbi transformimin e opozitës. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputeti Koçi ndërsa komenton protestën e dhunshme të Partisë Demorkatike, argumenton se opozita po evoluon në një lëvizje fashiste, e cila ndan distancë nga principet e mosbindjes civile dhe mirësjelljes demokratike. I drejtë për drejtë në ato që thotë, ai theksoi se protestat e dhunshme të PD, referuar asaj të kësaj të hënë ku nuk munguan aktet vandale dhe zjarret, sipas tij, nuk janë thjesht shprehje të pakënaqësisë qytetare, por një strategji e orkestruar nga faktorë të jashtëm, si Rusia, për të destabilizuar vendin dhe për të sabotuar punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK-ut). Në këtë kontekst, zoti Koçi zbuloi se disa segmente të caktuara brenda opozitës po përdoren për të mbrojtur vrasësit e ‘21 Janarit’ dhe ndërkohë po shfrytëzojnë situatën për të mbrojtur interesat e një grushti të vogël njerëzish, të cilëve iu rrezikohet pasuria dhe kanë sfida përballë drejtësisë së re.
Ja prononcimi i deputetit Petro Koçi për gazetën “SOT”
“Realizimi i synimeve politike nëpërmjet dhunës përbën shkelje të Kushtetutës. Opozita po kthehet në një lëvizje fashiste që nuk ka lidhje me mosbindjen civile. Mosbindja civile nuk është produkt i akteve anti-civile. Aksionet e opozitës kanë si motiv kryesor mbrojtjen e interesave të një grushti njerëzish që i lidhin vilat e Gjirit të Lalëzit, dhjetëra apartamente në Tiranë apo edhe jashtë shtetit, si dhe problemet personale me drejtësinë e re. Janë një grusht shtetasish që mbrojnë vrasësit e ‘21 Janarit’. Dëshirojnë Republikën e vjetër, atë pa SPAK! Kjo opozitë e hodhi vetë në burg Salianjin për interesa politike të ditës, duke e nxitur të fabrikonte, në bashkëpunim, prova false. Kaq e inkriminuar dhe e korruptuar është kjo opozitë sa që pa pikë turpi kandidon në zgjedhje individë që përfaqësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Vorio Epirit dhe që janë dënuar për përbuzje të simboleve të atdheut tonë. Nga ana tjetër, e konsideruar në një teatër më të gjerë se Shqipëria, PD është lojë e Rusisë. Pushteti nuk merret me dhunë, por me votë. Me këto akte fashiste, vota pakësohet për opozitën dhe shtohet për mazhorancën. Shqiptarët janë një popull antifashist”, deklaroi deputeti i PS, Petro Koçi për gazetën “SOT”.