Rigels Seliman
Molotovë e flakadanë drejt institucioneve të qeverisë, selisë së Partisë Socialiste dhe ministrisë së Brendshme e bashkisë së Tiranës. Tym, flakë, shpërthime që në disa momente rrezikuan dhe jetën e efektivëve. Ky ishte skenari i dështuar i aksionit të një grusht besnikësh të ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e djeshme e cila zgjati për gati 3 orë. Mesazhet e kreut të PD ishin shumë të qarta për kryeministrin Rama. Djegia e selisë së partisë, ka një simbolikë. Berisha mezi priti një ngjarje të tillë që të shpërthente diçka në mënyrë që të bënte presion ndaj SPAK dhe qeverisë, se do të djegë dhe përvëlojë qeverinë “Rama” dhe Shqipërinë nëse preket ai dhe familja e tij. Sapo SPAK afrohet sa më shumë te Sali Berisha, familjarët dhe besnikët e tij që nga momenti në moment mund t’i shesin para drejtësisë, personazhi i akuzuar si më i korruptuar në Shqipëri përdor dhunën dhe shantazhin, duke demonstruar shenja të shqetësimit të thellë në kufijtë e panikut. Gazeta “SOT” e raportoi në artikullin e fundit se Berisha ka marrë informacion se SPAK po bën gati një tjetër dosje të madhe që fundos gjithë anëtarët e tij të familjes të përfshirë në afera dhe pastrim parash, ndaj nxitoi të aktivizonte planin që di të bëjë më mirë: Dhunë dhe kaos.
Ja detajet nga dhuna, tymi, flaka dhe shpërthimet në protestë
Protesta e opozitës, megjithëse me një pjesëmarrje më të ulët sesa pritej, ka shënuar përplasje të dhunshme që në fillim. Nisi në orën 18:30 para kryeministrisë ku hodhën disa molotovë dhe tymuese dhe në një moment u përplasën me policinë. Një molotov ra drejt kordonit policor duke rrezikuar jetën e dy prej tyre. Me skafandër policët arritën ta shmangin ndërsa lënda shpërtheu para tyre. Protestuesit hodhën dhjetra molotovë drejt selisë së PS-së, duke rrezikuar jetën e policëve edhe këtu. Kjo e fundit ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës. Më pas protestuesit iu drejtuan godinës së ministrisë së Brendshme ku edhe këtu hodhën molotovë, duke rrezikuar për herë të tretë jetën e policëve. Pasi qëndruan për disa minuta protestuesit marshuan drejt Bashkisë së Tiranës ku hodhën dhe atje bomba molotovë dhe u përplasën me policinë. Edhe këtu policia ndërhyrë me gaz lotsjellës. “Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotovë e lëndë plasëse. Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotovë, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.” informoi dje policia. Më pas protestuesit marshuan drejt godinës së parlamentit ku dhe u shpërndanë me gaz lotsjellës. Tani po marshojnë drejt Pazarit të Ri. Gjatë gjithë rrugës ata dogjën stacione autobusi, në një rast dogjën kazanët e plehrave ndërsa thyen dhe xhamat e reklamave.
Policia disa herë u bëri thirrje me megafon “Ndaloni sulmin me mjete piroteknike në drejtim të Policisë”, dëgjohej thirrja me megafon.
Noka nga selia blu: Hapi i parë i mosbindjes civile
Në përfundim të protestës, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një prononcim për mediat tha se ky ishte hapi i parë i mosbindjes civile dhe se aksioni do të vijojë. Se cilët do të jenë skenarët në vijim, Noka nuk dha detaje po këmbënguli në kërkesën e PD për qeveri teknike. “Sot ishte dita e parë që mosbindja civile zbrit në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar sot mori një mesazh, mesazhi ishte jepi zgjidhje e kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Sot e kuptuan që beteja me qytetarët nuk fitohet as me gaz e as me dhunë. Qytetarët i dhanë një leksion, ne do jemi këtu të vazhdojmë mosbindjen civile. Narkosi duhet të largohet dhe ti hapë rrugë qeverise teknike. Sot startuam nga parlamenti në rrugë, për çdo hap tjetër do jemi në kontakt. Ne do jemi në mosbindje civile. Sot ata janë duke u dridhur, janë të tërbuar sepse forca e qytetarëve u ka kallur datën. Me mijëra forca policore kanë rrethuar bunkerin e Surrelit se Sullatani atje dridhet dhe nuk fle i qetë. Revolta do vijë duke zier. Kjo është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile. Ne do të jemi në aksion. Do t’iu njoftojmë për çdo gjë”, tha Flamur Noka.