E premte, 6 Dhjetor, 2024

Pas pezullimit nga Senati, presidenti Biden ripropozon Kostelancik si ambasador të SHBA-së në Shqipëri, zbardhet njoftimi i Shtëpisë së Bardhë

Share

Presidenti amerikan, Joe Biden ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ky riporpozim vjen pasi në fillim të janarit, Senati në SHBA nuk e miratoi emërimin e David Kostelancik si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, për shkak të tejkalimit të afateve. “David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër-Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. David Kostelancik doli para Senatit që në muajin mars dhe miratimi i tij dukej i sigurt. Por republikanët bllokuan të gjitha emërimet e reja, përfshirë edhe ambasadorët. Kjo bllokadë vijoi deri tani më 4 janar ku kandidatura e Kostelancik u refuzua. Kostelancik është diplomat i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër. Ai ka filluar të shërbejë si këshilltar për politikën e jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht 2021.

Kostelancik më parë ka qenë Zëvendës Shef i Misionit, dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Budapest, në Hungari, ku ofroi udhëheqje dhe udhëzime politike për stafin e misionit prej më shumë se 350 personash. Ndër të tjera Kostelancik ka qenë i emëruar në Departamentin e Shtetit Amerikanë si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore –Qendore. Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Gjithashtu diplomati ka qenë Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. Më herët, në karrierën e tij ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA-së në Moskë. Detyra të tjera në të cilat Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi. Ai ka shërbyer gjithashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore. Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northwestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore. Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare.

Te tjera

Lajme te tjera