Një ditë pas vendimit të Kushtetueses që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, Sali Berisha njoftoi nisjen e protestave kombëtare. Por vëmendjen kryesore në mbledhjen e kryesisë e mori lëvizja e re brenda PD-së e Ervin Salianjit, i cili ia tha në sy Flamur Nokës se e ka shkatërruar partinë dhe duhet të dorëhiqet. Gishtin ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së, e drejtoi edhe i vetmi anëtar që i doli në krah Salianjit, Bislim Ahmetaj i cili me ironi tha se partia nuk ka kohë të takojë njerëz, pasi janë të zënë të mbajnë Flamur Nokën me makinë 100 mijë euro.
***
Nëse Ervin Salianji nuk do të ishte kthyer në figurën që ka nisur të trazojë qetësinë brenda demokratëve me lëvizjen për zgjimin e partisë, imazhi i ish-deputeti i rrethuar nga gazetarët dhe Sali Berisha që lë në heshtje i vetëm selinë blu këtë pasdite të shtune, pa marrë vëmendjen mediatike, me gjasë nuk do të ishte shfaqur.
Kryesia e PD-së që Sali Berisha e mblodhi me urgjencë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, nuk shkoi sipas pritshmërive të liderit demokrat, edhe pse për herë të parë ai artikuloi vendimin që vetë Ervin Salianji kishte kërkuar prej kohësh, revoltë dhe jo foltore para kryeministrisë: “Data 22 dhjetor të jetë data e protestës së parë të përgjithshme kombëtare”.
Mbledhja 4 orë me dyer të mbyllura u përfshi nga debate të ashpra, e me tone të larta të cilat u dëgjuan edhe në korridoret e selisë blu nga gazetarët. Ishte hera e parë që nga nisja e lëvizjes që konkurron linjën e PD-së, që ish-deputeti Ervin Salianji u ul përballë kolegëve anëtarë të kryesisë, dhe i tha në sy me emra, se kë bën përgjegjës për thellimin e humbjeve të njëpasnjëshme të PD-së përballë mazhorancës socialiste.
“Jep dorëheqjen Flamur. E ke shkatërruar partinë”,mësohet t’i jetë drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, qëndrim që e nuk e mohoi edhe në përfundim të mbledhjes.
“I kam thënë gjithçka që kisha për të thënë në mbledhje”, tha Salianji pas mbledhjes së Kryesisë së PD.
Flamur Nokën e bën përgjegjësin kryesor për zgjedhjen e Endri Shabanit siAvokat Populli me firmat e demokratëve, edhe pse formalisht opozita u tërhoq nga nënshkrimet.
“Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për paqartësinë në vendimmarrje të caktuara”, tha Salianji.
Numri 2 i partisë, iu përgjigj me të njëjtat akuza të artikuluara edhe nga Berisha si grup tradhtar
“Dorëheqja ime apo dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë, Ramën dhe shërbëtorët e tij”, tha Noka.
Madje për të justifikuar dështimin me mbështetjen nga vetëm një grusht militantësh të foltoreve para kryeministrisë dhe ato që Sali Berisha ka nisur paralel me turin e Salianjit nëpër rrethe, Noka, shkon në të tjera skenare: “Kemi pasur ankesa nga Elbasani që Suel Çela është angazhuar për të kërcënuar demokratë që të mos marrin pjesë në foltoren e Berishës, por në atë tjetrën”.
Përgjigjen se kush e ka mbështetjen e vërtetë ia dha anëtari i kryesisë Bislim Ahmetaj, i vetmi që në mbledhjen me dyer të mbyllura, mësohet se i doli në krah Ervin Salianjit dhe lëvizjes që ai ka nisur për një rizgjim të PD-së.
“Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz? Se ne jemi shumë të zënë si parti, mbajmë ty me makinë 100 mijë euro me kondicioner ndezur behar e dimër”, ka thënë Ahmetaj.
Brenda mbledhjes së Kryesisë, ish-deputeti Salianji është përplasur edhe me Sali Berishën.
“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, mësohet të ketë thënë Salianji në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë.
Nga burimet brenda mbledhjes së kryesisë, mësohet se Salianji i është drejtuar Berishës se cili nen i statutit, ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët.
“Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar jo përjashtuar si tek PS, kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”, është shprehur Salianji.
Ndërkohë debate kanë patur edhe për për moskandidimin në listat e 11 majit të Hysen Kadisë, pavarësisht se demokrati i Kavajës doli më i votuari në Qarkun Tiranë në Primaret e organizuara nga vetë kryedemokrati.
Berisha: Ata që po shkojnë tek takimet jashtë axhendës së partisë janë ata që në fushatë nuk punuan një ditë për PD-në por për Edi Ramën. Hysen Kadia ishte në Amerikë. Nuk bëri një ditë fushatë. Kam mesazhet.
Salianji: Kam unë fotografi fshatrave të Kavajës duke bërë fushatë (demokrati më i votuar i primareve në qarkun Tiranë). Kjo nuk është e vërtetë.
Pas mbledhjes së Kryesisë, pritet të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar i Partisë demokratike, i cili nuk ka zhvilluar asnjë takim që prej humbjes së thellë të 11 majit.
