Deputeti demokrat Luan Baçi duke folur për mënyrën e raegimit të opozitës për burgosjen e kolegut të tyre, Ervin Salianji, tha se një nga opsionet që deputetët e PD mund të përdorin është ngujimi afatgjatë në Parlament.
Në një intervistë për rubrikën “Opinion” në News24, Baçi tha se janë disa opsione që po diskutohen dhe do të diskutohen, por nuk përjashtohet as ai i ngujimit në Kuvend.
“Sot është mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, nesër do të mblidhet Grupi Parlamentar, ku do të merret edhe një vendim lidhur me seancën.
Kjo që ndodhi me Ervin Salianjin është shkelje e vijës së kuqe nga mazhoranca e Edi Ramës dhe natyrisht që reagimi opozitar do të jetë i fortë. Do të jenë forumet e PD që do të miratojnë atë se çfarë do të bëjnë jo vetëm deputetët, por edhe populli opozitar”, tha Baçi.