Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i emocionuar prej ditësh nga fitorja e republikanit Donald Trump, ka nisur të thurë plane për mënyrën se si do të heq njollën e “non-grata”-s.
Në delir të plotë, Berisha rrëfeu në një intervistë televizive hapat që ai ka vendosur të ndjekë deri në atë që ai shpreson të jetë heqja finale e “non-grata”-s nga SHBA-ja. Ish-kryeministri është shprehur se deri më tani nuk ka bërë asnjë përpjekje për të hequr non-gratan, veçse gjyqit të hapur ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Ndërkohë në planin e tij për vitin 2025, kur Trump të marrë pushtetin, Berisha shprehet se do të nisë lobime të fuqishme në SHBA dhe me ndihmën e miqve të tij do të ndikojë te Trump dhe Sekretari i ardhshëm i Shtetit për t’i hequr “non-grata”-n.
“Nuk kam bërë asnjë lobim, asnjë pagesë. Thjesht padita në Gjykatë, Sekretarin e Shtetit për shpifje, dhe ky ishte rasti i dytë që ndodhte që një Sekretar Shtetit të paditej në gjykatë nga një shtetas i huaj. Unë nuk kam bërë asnjë lobim, përveçse një mik i vjetër, Reganian, një avokat i famshëm, Charli Black, pasi u njoh me rastin iu drejtua me një letër një komisioni në kongresin amerikan për të nisur hetimet, duke shpallur veten “lobist pa asnjë pagesë”. Kam qenë i vendosur të mos shkel në SHBA përsa kohë Antony Blinken të mbante atë detyrë. Së shpejti falë sovranit amerikan ai do të largohet nga ajo detyrë dhe unë filloj përpjekjet e mia, sqarimet e mia, për të paraqitur të gjitha argumentet”, tha Berisha për emisioni “Log” në “News24”.
Pavarësisht detajeve për planin e tij, Berisha nuk dha sqarime se me çfarë parash do t’i bënte lobimet në SHBA, pasi vetëm me rrogën dhe apartamentin e deklaruar në ILDKPI, vështirë se “ujqërit” e lobimeve në SHBA do të lëviznin këmbën për të.
Ndërkohë që nga njëra anë bën plane delirante, faktet e kthejnë sërish në realitet Berishën. Duke folur për procesin gjyqësor me Antony Blinken që e shpalli “non-grata”, Berisha pranon se e ka humbur gjyqin e hapur në një Gjykatë në Paris kundër Sekretarit amerikan të Shtetit. Pavarësisht justifikimeve që ai nxjerr, humbja e gjyqit tregon se shanset për revokim të “non-grata”-s janë minimale, për të mos thënë zero.
“Të jem i sinqertë padia ime ishte një padi për dinjitetin e Sali Berishës dhe dinjitetin e shqiptarit. Nuk ishte një padi që Gjykata do të merrte këtë apo atë vendim. Por ishte në dinjitetin tim që t’i kërkoja zotërisë që të paraqiste dokumente mbi akuzat. Çështja shkoi në gjyq, por gjykatësit vlerësuan se Sekretari i Shtetit ka imunitet dhe se unë nuk jam qytetar i vendeve të BE-së. Sipas avokatit tim, këto pretendime ishin relative, sepse shpifja dënohet edhe aty ku del. Imuniteti nuk është për shpifje, shpifja nuk i jep imunitet zyrtarëve”, tha Berisha për emisioni “Log” në “News24”.
Gëzimi dhe optimizmi i Berishës në javën e parë të fitores së Trump mbetet i pa masë dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë, por një gjë është e sigurt, sa më të mëdha pritshmëritë aq më i madh zhgënjimi./