Pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi me urdhër të Putinit në shkurt 2022, po i afrohet përvjetorit të tij të dytë dhe luftimet vazhdojnë pa fund. Megjithëse “operacioni i tyre special ushtarak” supozohet se nuk shkoi plotësisht sipas planit, zyrtarët rusë po kërkojnë të lënë të kuptohet se pushtime të ngjashme mund të nisen në të ardhmen e afërt dhe territoret e ish-Bashkimit Sovjetik, si Moldavia apo shtetet e Ballkanit, që lakohen më shpesh si objektiva të mundshëm. Siç u la të kuptohet nga një zyrtar rus, objektivi i radhës i mundshëm në të ardhmen është Polonia, e cila nuk ishte kurrë zyrtarisht pjesë e territorit sovjetik, por ishte një aleat i Bllokut Lindor gjatë Luftës së Ftohtë. Të premten, Julia Davis, themeluesja e Russian Media Monitor, ndau një video nga televizioni shtetëror rus në rrjetin X, në të cilin Alexei Zhuravlyov la të kuptohet se Polonia ishte objektivi i radhës. Zhuravlyov është një përfaqësues rus dhe anëtar i Dumës Shtetërore i njohur për prirjet e tij nacionaliste dhe militariste. “Një pyetje tjetër për ju djema nga Perëndimi, çfarë do të bëni për këtë?”, pyeti Zhuravljev dhe vazhdoi: “Ata e kuptojnë shumë mirë se Ukraina ka marrë fund. Pra, çfarë më pas? Suedia po përgatitet, po ashtu edhe Ballkani. Polakët u qetësuan pak, ndoshta duke filluar të kuptonin se ata ishin të radhës. Natyrisht, nuk kemi iluzione, por e kuptojmë që të gjithë po përgatiten për fazën tjetër të luftës”.
“Shënjestra” e radhës
Megjithatë, një detaj i rëndësishëm që Zhuravlyov nuk e vuri re është se Polonia, ndryshe nga Ukraina, është anëtare e paktit të NATO-s, të cilit u bashkua zyrtarisht në 1999. Prandaj, një sulm ndaj Polonisë do të çonte në futjen e anëtarëve të tjerë të NATO-s në luftë, dhe neni 5 thotë se agresioni kundër një anëtari të NATO-s konsiderohet një sulm ndaj të gjithë anëtarëve. Në fund të muajit të kaluar, Polonia mobilizoi trupat pasi një “objekt ajror i paidentifikuar” kaloi kufirin e saj nga drejtimi i Ukrainës. Ky incident ndodhi gjatë asaj që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi si “një raund masiv sulmesh me raketa dhe drone të kryera nga Rusia”. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Polonisë i tha Newsweek se “hetimi për objektin është duke u zhvilluar” dhe shtoi se komanda polake “është në kontakt të vazhdueshëm me palën ukrainase”. Zyrtarët e NATO-s kanë paralajmëruar për rrezikun që paraqesin armët e gabuara ruse dhe ukrainase gjatë luftës në vazhdim. Në nëntor 2022, një raketë e humbur ukrainase e mbrojtjes ajrore shpërtheu në fshatin jugor polak të Przevodov. Në prill 2023, agjencitë polake të lajmeve raportuan se një raketë ruse KH-55, e përdorur nga Moska në bombardimin e Ukrainës, u gjet në një pyll pranë qytetit polak të Bydgoszcz.
Panik në Suedi
Kujtojmë se kohët e fundit në Suedi “ka mbizotëruar” paniku pasi dy zyrtarë të lartë të forcave të mbrojtjes paralajmëruan se vendi duhet të përgatitet për luftë pas 210 vitesh paqe. “Është njerëzore të duash ta shikosh jetën ashtu siç dëshiron të jetë, dhe jo ashtu siç është në të vërtetë. Për një komb që ka pasur paqen si shoqërues të tij për gati 210 vjet, ideja se paqja është një konstante e palëvizshme është e shkëlqyer, por duhet të dini se kanë ardhur kohë më të rrezikshme se më parë”, paralajmëroi ministri Kar-Oskar Bolin bashkëqytetarët fundjavën e kaluar. “Mund të ketë një luftë në Suedi … Bota po përballet me probleme sigurie, rreziqet e të cilave janë më të mëdha se në çdo kohë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. A keni menduar nëse është koha për t’u bashkuar me një organizatë vullnetare të mbrojtjes? Nëse jo: filloni të mendoni!” vijoi ministri Bolin dhe u bëri thirrje qytetarëve që të “lëvizin”.Edhe ministri suedez i Mbrojtjes Pal Jonson përsëriti mesazhin e kolegut të tij qeveritar, duke folur për një botë “më të rrezikshme se një vit më parë” për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. “Ne nuk mund të përjashtojmë një sulm të armatosur kundër Suedisë. Lufta mund të vijë tek ne”. Ky është paralajmërimi i Jonson, që nuk do të ishte aspak çudi të bëhej realitet së shpejti.