Rigels Seliman
Britania e Madhe duket e vendosur për të goditur të korruptuarit dhe inkriminuarit, ndërsa ka paralajmëruar se do të sjellë një valë të dytë shpalljesh “non grata”, ku subjekt pritet të jenë politikanë, biznesmenë dhe të gjithë ata që sipas Londrës, minojnë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe jovetëm. Gazeta “Sot” zbuloi pak kohë më parë nga burime konfidenciale se përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, edhe disa biznesmenë, pronarë mediash, deputetë, ish-presidentë, ministra dhe ish-ministra në Shqipëri janë pjesë e “listës së zezë” së Anglisë. Madje mësohet se disa ish-ministra të qeverisë “Rama” dhe të Partisë Demokratike, tashmë e kanë marrë njoftimin nga Londra se janë shpallur “non grata”. Ata akuzohen për korrupsion, për pastrim parash, përfshirje në afera dhe blerje votash. Por Britania nuk ndalet me kaq, pasi një tjetër sinjal i fortë erdhi së fundmi. Në Tiranë ka “zbarkuar” ditën e djeshme makthi i të korruptuarve. I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, i cili njoftoi një viti më parë shpalljen e 27 personave të korruptuar, ku mes tyre ishte dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka ardhur në Shqipëri dhe ka takuar presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Vizita e tij përkon me disa deklarata të bëra nga disa deputetë shqiptarë se britanikët kanë gati një “listë të dytë të zezë” dhe pas një interviste të dhënë se fundmi nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King Smith, i cili pohoi shteti britanik është i vendosur t’i ndalojë hyrjen çdo politikani, funksionari e sipërmarrësi të korruptuar apo të lidhur me krimin. Pra ardhja Lordit Stuart Peach në Tiranë tregon se lajme të hidhura i presin pushtetarët e lartë të korruptuar në vendin tonë. Megjithatë mbetet të shihet nëse “makthi” i të korruptuarve, Lordi Stuart Peach që njoftoi shpalljen “non grata” të 27 politikanëve dhe oligarkëve me Sali Berishën në krye, e ka sjellë në Shqipëri “listën e zezë”të dytë.
Reagon Presidenca
Por sa i takon vizitës dhe takimit të Lordit Stuart Peach me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar dje edhe Presidenca e Shqipërisë. “Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj priti sot në një takim pune Lordin Stuart Peach, i Ngarkuar i Posaçëm i Qeverisë Britanike për Ballkanin Perëndimor që shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sh.T.Z. Alastair King-Smith. Presidenti Begaj vlerësoi në këtë takim rolin aktiv dhe pozitiv që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po mban në Procesin e Berlinit dhe ndaj zhvillimeve më të fundit në Kosovë. Presidenti Begaj nënvizoi se Procesi i Berlinit po luan një rol të jashtëzakonshëm në përgatitjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian. Duke ritheksuar qëndrimin e tij mbështetës ndaj dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj dhe Lordi Peach shkëmbyen ide dhe mendime mbi kapërcimin e situatës së shkaktuar nga sulmi terrorist serb në Banjskë në 24 shtator”, njoftoi dje Presidenca në rrjetet sociale.
Paralajmërimi i ambasadorit britanik në Tiranë
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King Smith, gjatë një interviste për televizionin “Klan” pak ditë më parë mohoi që qeveria britanike të ketë një listë tjetër me persona “non-grata”, por siguroi që shteti britanik është i vendosur t’i ndalojë hyrjen çdo politikani, funksionari e sipërmarrësi të korruptuar apo të lidhur me krimin. Ai thotë se nëse kjo do të ndodhë do të jetë Londra që do të bëjë publike vendimet e saj. Madje i pyetur për akuzat e kreut të “Foltores”, Sali Berisha në adresë të tij, ai refuzon t’i komentojë, por bën thirrje tek pyetja e ish-kryeministrit se çdo i korruptuar të hetohet nga drejtësia shqiptare. Kujtojmë se një vit më parë aleatja jonë strategjike, Britania e Madhe e shpalli “non-grata” Sali Berishën, të cilin e akuzon për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe pasurim përmes korrupsionit për vete e rrethit të njerëzve pranë tij. Nga ana tjetër, edhe pak muaj më parë ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith deklaroi për mediat se gjatë 2023 do ketë edhe biznesmenë dhe personalitet të tjerë si politikanë që kanë ndikuar negativisht në përparimin dhe demokratizimin e vendit, të cilët siç thotë diplomati do shpallen të padëshiruar, duke hyrë kështu në “listën e zezë”. “Gjatë këtij viti do të ketë aksione të mëtejshme. Gjatë vitit 2023 do të sanksionohen politikanë dhe biznesmenë shqiptarë. Do të ketë të tjerë non grata për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Do të marrim aksione kundër trafikantëve. Ne do të vijojmë që të investojmë për arsimin dhe universitetet”, nënvizoi ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King Smith.
Hetimet e Londrës për “non-gratat”
Ndërkaq, vetë Britania e Madhe ka paralajmëruar se institucionet ligjzbatuese angleze kryejnë një gamë të gjerë hetimesh, përpara se të shpallin dikë “non grata”. “Kërkohet kohë për të arritur disa standarde e më pas mbërritur në vendimmarrje. Këto lloj ndalesash ndërmerren nga Sekretarja e Punëve të Brendshme ndërsa sanksionet anti-korrupsion nga Sekretari punëve të Jashtme dhe më gjerësisht për ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë nga prokurorë të pavarur. Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë”, kanë thënë zyrtarët britanikë. Gjithashtu si nga SHBA dhe Britania është paralajmëruar se ka nisur dhe faza e dytë pas “non-gratave”, ajo e burimit të pasurive. Madje amerikanët dhe britanikët paralajmërojnë se kanë nisur procedurat për të identifikuar në mënyrë të qartë burimet ekonomike, por edhe mediatike që kanë mbështetur politikanët e shpallur “non-grata”. Pra laku po ngushtohet për “non-gratat” dhe ardhja e Lord Stuart Peach ka terrorizuar pushtetarët e lartë të korruptuar në Shqipëri, megjithëse lëvizjet e britanikëve nuk mund të shkaktojnë “tërmet” në opinionin publik, pasi ata operojnë dhe në privatësi duke mos zbuluar emra.