Mazhoranca ka miratuar e vetme buxhetin për vitin 2025. Pavarësisht se opozita propozoi një numër të madh amendamentesh, ato u rrëzuan në bllok. Në mbrëmje, buxheti u votua me 75 vota pro, 24 kundër dhe asnjë abstenim. Sigurisht që deputetët e Tom Doshit bashkuan votat me Partinë Socialiste.
Buxheti i vitit që vjen parashikohet plot 825 miliardë lekë. Ministria e Shëndetësisë, me pjesën më të madhe të buxhetit, do të ketë 80.7 miliardë lekë në dispozicion për të mbuluar të gjitha nevojat në çdo hallkë të sistemit shëndetësor, duke përfshirë nga pagat deri në rikonstruksionin e qendrave shëndetësore.
Ministria e Infrastrukturës rrëmben 74 miliardë lekë, ku 33.4 miliardë lekë do shpenzohen për transportin rrugor, ndërsa projektet kryesore janë Rruga e Arbrit, rruga Milot-Morinë dhe ajo Orikum Dukat. Lista e projekteve vijon më pas me ndërtimin e rrugës Elbasan-Lekaj, ByPass i Elbasanit, zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës dhe projekti i rrugës Berat-Ballaban.
Arsimi do të marrë 62 miliardë lekë për vitin 2025, me rritje prej 9.4 miliardë lekë krahasuar me vitin aktual, me fokus reduktimin e klasave kolektive, rritjen e cilësisë në arsim, librat falas apo transport të mësuesve dhe nxënësve.
Më pas është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me buxhet 56 miliardë lekë, me vëmendje tek skema e sigurimeve shoqërore, por edhe tek projektet e reja në fushën e kulturës.
Kurse Mbrojtja, me synim për fuqizimin e forcave të armatosura, ringritja e industrisë ushtarake dhe plotësimi i kërkesave si vend anëtar i NATO-s do të marrë 52.6 miliardë lekë me rritje prej 4 miliardë lekë krahasuar me këtë vit.
Ndërsa institucioni i gjashtë me vlerën më të madhe të shpenzimeve është Ministria e Brendshme prej 31 miliardë lekë, që do shpenzohen për ristrukturim komisariatesh në disa qytete, për projektin “Smart City”, për instalimin e kamerave për policinë, për kompensimin ushqimor të policisë apo për përmirësimin e infrastrukturës hardëare dhe softëare të Regjistrit Kombëtar.
Institucionet e drejtësisë ishin më bindëse me kërkesat e tyre në komisionet parlamentare dhe morën 797.4 milionë lekë më shumë se planifikimet fillestare. Rritjen më të madhe e mori KLGJ me 500 milionë lekë, nga 5.6 miliardë lekë i parashikuar buxheti ju rrit në 6.1 miliardë lekë.
SHPENZIMET PUBLIKE
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2025 është planifikuar 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e PBB-së.
Shpenzimet totale për pagat në administratën publike në nivel qendror për 86,038 punonjës planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së. Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 68.5 miliardë lekë ose 2.6% të PBB-së, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.8 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2025 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajta e sistemeve të teknologjisë së informacionit, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin dhe sportin.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024.
Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 263.8 miliardë lekë. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB-së. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 janë parashikuar në masën 63.1 miliardë lekë ose 2.4% e PBB-së.
Së fundi, shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të pronarëve parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.1% e PBB-së. Shpenzime të tjera sociale përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve.