Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, një takim ballë për ballë mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus, Vladimi Putin, është dukur si “ëndërr” për diplomatët perëndimorë dhe jo vetëm. Kjo për shkak të refuzimit kategorik të të dyve, qoftë edhe për tu ulur në të njëjtën tryezë. Kapatur përpjekje edhe nga presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i konsideruar si “katalizatori” më i mirë mes tyre, por pa sukses. Përpjekje për të qenë “Kumbari” ka pasur edhe nga Papa Françesku. Sakaq, së fundmi një thirrje e papritur për paqe ka tronditur frontin midis Rusisë dhe Ukrainës, kjo edhe për shkak të njeriut që e ka bërë atë. Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, një aleat historik i Vladimir Putinit, krejt papritur vetëofrohet për të ndërmjetësuar. Megjithatë, në qarqet perëndimore mbretëron pa dyshim skepticizmi për çfarë fshihet pas kësaj.
“Oferta” e Lukashenkos
Lukashenko ka thënë se të dyja palët kanë ngecur në një “ngërç serioz” dhe se është e nevojshme të negociohet për t’i dhënë fund konfliktit. “Ka probleme serioze nga të dyja palët,” nënvizoi lideri i Minskut. “Askush nuk mund të bëjë asgjë për të forcuar apo avancuar pozicionin e tij. Ata janë aty kokë më kokë, të ngulitur . Njerëzit po vdesin. Ne duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të gjejmë një marrëveshje.”Lukashenko theksoi gjithashtu nevojën për fillimin e negociatave “pa parakushte ” dhe se kërkesat e Ukrainës, përkatësisht tërheqja e plotë nga territoret e kontrolluara nga Moska gjatë konfliktit dhe nga Krimea, duhet të diskutohen “në mënyrë që askush të mos vdesë. Objektivi kryesor është që të jepet urdhri për të ndaluar”. Deklaratat e tij tingëllojnë të çuditshme duke marrë parasysh se sa i përfshirë është ai në luftën e Rusisë. Kur filloi lufta, Lukashenko i dha Putinit lejen për të vendosur ushtarë rusë në Bjellorusi. Mijëra trupa ruse janë stacionuar në vend, si pikënisje për të pushtuar Ukrainën veriore në fillim të luftës. Udhëheqësi bjellorus gjithashtu lejoi Rusinë të transportonte pajisje ruse të mbrojtjes dhe pajisje ushtarake në Bjellorusi, për t’u përdorur në Ukrainë. Bjellorusia gjithashtu ka siguruar furnizime për Rusinë për luftën.
Negociatat
Por, duke marrë parasysh të gjitha, deklaratat e liderit bjellorus nuk janë të gabuara. Kundërofensiva e madhe e Kievit përfundoi efektivisht në dështim, duke qenë se trupat ukrainase arritën të çlironin një pjesë të territorit që ishte i parëndësishëm në krahasim me mbi 44 mijë kilometra katrorë të pushtuar nga rusët në pjesën jugore të vendit. Ushtria e Moskës, megjithatë, pas muajsh të kaluar në mbrojtje, ka rifilluar sulmet në rajonin e Donetskut, me qëllim pushtimin e qytetit Avdiivka . Guri i themelit të mbrojtjes së Kievit, megjithatë, u rezistoi sulmeve të pandërprera të batalioneve, tankeve dhe automjeteve të blinduara të Storm Z. Sipas ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Rustem Umenov, rusët humbën rreth 4 mijë burra, 100 tanke dhe 250 automjete të blinduara në zonën e qytetit. Potenciali sulmues i të dy palëve, pra, duket se është ezauruar për momentin. Inteligjenca britanike, megjithatë, ka deklaruar se Putini synon t’i japë goditjen vendimtare rezistencës së Kievit në vitin 2024, vit në të cilin Federata do të ndajë një pjesë të konsiderueshme të PBB-së për forcat e armatosura. Për më tepër, efektiviteti i mundshëm i një fushate të re bombardimi kundër infrastrukturës strategjike të Ukrainës nuk duhet të nënvlerësohet. Në vitin 2022 nuk ishte e mjaftueshme të “gjunjëzohej” populli ukrainas, por pas një viti tjetër konflikti mund të rezultonte të ishte një kartë fituese. Për më tepër, fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit ka zhvendosur vëmendjen e opinionit publik perëndimor drejt Lindjes së Mesme dhe përplasjeve ideologjike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Ky mund të jetë një problem për presidentin Volodymyr Zelensky, i cili që nga fillimi i pushtimit rus është fokusuar shumë në mbajtjen e mediave të fokusuara në konfliktin në vendin e tij, në mënyrë që të fitojë mbështetje të gjerë në bllokun BE-NATO.